Mes qindra pjesëmarrësve në hapjen e Degës në Njësinë nr. 7 në Tiranë, kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj tregoi se jeta në perëndim i mësoi se mund t’ia dalësh pa ndihmën e askujt. Ai tha se në vitet e para të emigrimit, familja e tij mori asistencë dhe banesë pa njohur njeri, pa ndërhyrje apo mik e më pas iu dha mundësia të krijonte biznes.

“Kur në 91-in unë kam ikur në Itali, mua dhe familjes sime na dhanë asistencën sociale sepse ishim emigrant, kishim nevojë për ndihmë. Nuk i shtrimë dorën askujt, nuk aplikuam asgjëkundi, por në mënyrë automatike na dhanë çfarë na takonte, sipas ligjeve të Italisë. Por jo vetëm kaq, pas disa vitesh ne na dhanë edhe shtëpi dhe na e dhanë pa njohur njeri. Thjesht aplikuam, pa ndërhyrje, pa mik, edhe se ne në atë kohë nuk kishim mik se sa kishim ardhur. Por gjëja më e rëndësishmë që unë kam parë dhe më ka dhënë Italia në fakt, perëndimi, ka qenë mundësia që unë të bëjë biznesin që bëra. Kjo ishte gjëja më e madhe dhe më e rëndësishme që më është dhënë. Më është dhënë mundësia dhe unë pastaj atë mundësi që mu dha, pa bërë marrëveshje me askënd, pa i shtrirë dorën askujt, pa asnjë lloj lidhje, me punë dhe këmbëngulje arrita të bëjë atë që në fakt bëra.

Dhe kjo për mendimin tim është gjëja më e rëndësishme që i’u është mohuar shqiptarëve, të gjithëve ne. Dhe ky është misioni ynë, në këtë ne besojmë. Ne mendojmë që kjo ju mungon shqiptarëve, këtë duan dhe kjo është zgjidhja dhe prandaj dhe i kemi vendosur emrin “Mundësia”. E kuptoj që për shumë këtu është e vështirë që ta kuptojnë rëndësinë e mundësisë, sepse në fakt kur fillova biznesin dikush këtu në Shqipëri më thoshte si me shaka që “është e pamundur, duhet të ketë ndonjë lidhje me dikë se nuk është e mundur që mos të ketë asnjë mbështetje, mos të jetë dikush nga pas”. Ju dukej e pamundur një gjë e tillë, por ja që fakt është që unë nuk kisha asnjë lidhje, por unë kisha një gjë që më ishte dhënë mundësia dhe kisha ambicien dhe dëshirën për t’ia dalë. Dhe në fakt ambicia dhe dëshira janë karakteristika që kanë pjesa më e madhe e shqiptarëve dhe kjo na dallon nga gjithë të tjerët. Por problem është që për të shfrytëzuar këtë dëshirë të madhe për t’ia dalë, këtë ambicie të madhe për të përmirësuar gjendjen ekonomike nga e cila nisemi, jemi të detyruar të ikim jashtë, të ikim në perëndim”, tha Shehaj.

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj tha më tej se qëllimi i tij dhe Partisë Mundësia është të krijojë mundësi për të gjithë pasi kjo është zgjidhja për mirëqënie. Sipas tij, ekonomia nuk mund të zhvillohet sa kohë është e kapur, ku mundësitë i kanë vetëm oligarkët dhe krimi.i

“Pse është shumë e rëndësishme të krijojmë mundësi për të gjithë? Dhe pse ne jemi të fiksuar me këtë? Mundësia, mundësia, mundësia! Ne do flasim vetëm për këtë gjë. Sepse kjo është zgjidhja. Ne mund të flasim sa të duam që sigurisht pensionet duhet të rriten, sigurisht që shëndetësia duhet të përmirësohet, arsimi duhet të përmirësohet, por ka një problem.

Për këtë duhen para. Dhe nëse Shqipëria vazhdon të jetë vendi më i varfër në Europë, nuk do ketë kurrë mjaftueshëm para për të rritur mjaftueshëm pensionet, për të përmirësuar mjaftueshëm shëndetësinë dhe zgjidhja vjen nëpërmjet rritjes ekonomike.

Nuk ka asnjë vend që do përparojë nëse nuk ka liri ekonomike. Nëse nuk ju njihet të gjithëve mundësia, nëse nuk kanë të gjithë të njëjtat mundësi, nuk ka shans ku një vend ku ekonomia është e kapur nga krimi, nga korrupsioni, sepse e dini më mirë se mua: kush po e zhvillon turizmin në Shqipëri? Paratë e pista dhe oligarkët.

Kush po e zhvillon ndërtimin në Shqipëri, gjithë këto kulla që shohim kush po I bën? Po i bëjnë përmes parave të pista dhe parave të korrupsionit. Qytetarët e ndershëm, sipërmarrësit e ndershëm, po vuajnë konkurrencën e padrejtë të kriminelëve, të korrupsionit. Shikoni çfarë po bëhet me euron. Ka humbur 25% të vlerës në dy vjet. Çfarë do të thotë kjo? Ka ardhur një sasi e jashtëzakonshme parash të pista, kanë vënë në vështirësi eksportuesit, të cilët në 2 vjet u kanë rënë të ardhurat me 25%. Kanë vënë në vështirësi jo vetëm eksportuesit por edhe prodhuesit vendas, sespe qartësisht nëse euro është kaq e dobët, kuptohet që vihen në vështirësi”, tha Shehaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb