Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ishte sot në Komisionin Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, ku dha sqarimet e saj në lidhje me koncesionet që po hetohen nga ky komision.

Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili pyeti ministren se çfarë do të ndodhë me dy koncesionet, sterilizimin dhe checkup, kur kontratat të përfundojnë.

Por ministrja nuk dha asnjë sqarim, duke thënë se vendimi do të merret pasi të bëhet një vlerësim mbi performancën e dy kontratave aktuale dhe pas konsultimeve me grupet e interesit.

Petrit Vasili: Pas 9 vite koncesion i sterilizimit, cili është vendimi juaj në të ardhmen, çfarë ndodh me ecurinë e koncesionit ditën që koncesioni mbaron?

Albana Koçiu: Do diskutoja me shumë qejf me ju në lidhje me ecurinë e dy kontratave, por nuk besoj që duhet të vazhdojmë një diskutim si do të vijojë ecuria e këtyre dy kontratave, për aq kohë që ky do jetë një diskutim që do merret me institucionet, me ekspertët pas vlerësimit performance të dy kontratave aktuale. Për ketë arsye po rezervohem të them diçka të prerë përsakohë do të zhvillohen diskutime në tryeza ekspertësh dhe të rrihet dhe opinioni i grupit të interesit të përfshira në zbatimin e këtyre kontratave.

***

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka raportuar sot në Komisionin Hetimor për “Sterilizimin” dhe “Check Up-in”, ku ka deklaruar se për të gjitha raportet e KLSH-së janë kryer procedurat respektive për zbatimin e rekomandimeve.

Ndërsa deputetët demokratë kanë pasqyruar shifrat e analizave të pakryera nga viti 2015 deri në përfundim të vitit 2023, kanë pyetur ministren Koçiu se kush mban përgjegjësi mbi dëmin që i është shkaktuar buxhetit të shtetit. Deputetët demokratë bënë me dije se paratë për këto analiza janë marrë, por ato nuk janë kryer asnjëherë.

“Përveç një viti që ka pasur 7716 më tepër, të gjithë vitet e tjera janë me faturime për analiza të parkyera. Rreth 3 mln kontrolle të kryera deri në fund të 2023, janë 500 mijë analiza të pakryera por për të cilat është marrë pagesa. Dëmi i buxhetit, rreth 250 mln lekë, duke llogaritur shpenzimet variabël, 480 lekë për analizë me TVSH”, janë shprehur demokratët.

Nga ana e saj, ministrja argumentoi se kontrata e lidhur ka pasur në themel sensibilizimin mbi kryerjen e kontrolleve periodike. Dhe në këtë kuadër, ministrja theksoi, se kontrata ka arritur qëllimin e saj.

“Ajo që po them është që ne si institucion kemi një kontratë mes palëve dhe kemi detyrimin ti përgjigjemi. Për aq kohë sa është një kontratë që ka në themel sensibilimin për kryerjen e kontrolleve periodike, dhe nëse do i referoheshin shifrave kemi një dyfishim të numrit të qytetarëve që kryejnë kontrollin bazë. Kjo kontratë ka arritur qëllimin e saj për sensibilizimin e kontratës”, deklaroi ministrja.

Po ashtu, ministrja ka hedhur poshtë pretendimet për ndryshim të kontratës së punës në qendrat shëndetësore me qëllim penalizimin e mjekëve që nuk arrinin numrin e caktuar të kontrollit mjekësor bazë.

“Nuk është e vërtetë që kemi penalizuar mjekë që nuk ka kryer numrin e detyruar siç thoni ju nga ne për kontrollin mjekësor bazë. Ajo që është e vërtetë është që kontrata mes fondit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor me mjekët e qendrave shëndetësore. Si çdo kontratë ka të drejtat dhe detyrimet esja. Në detyrat e punëmarrësit, të mjekëve të Qendrave Shëndetësore janë të listuara një sërë ngarkesash apo detyrash që ata duhet të kryejnë gjatë orarit të punës. një ndër to është dhe sensibilizimi i popullatës për të marrë një shërbim sikurse është kryerja e ekzaminimeve”, u shpreh Koçiu. Kjo e fundit theksoi se ka një listë detyrimesh dhe në rast moszbatimi zbatohen sanksionet përkatëse.

“Penalizimet janë në përmbushje të detyrimeve që kanë punonjësit e shëndetësisë me punëmarrësin që në rastin konkret është Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor”, deklaroi Koçiu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb