Zgjedhjet e së martës do të përcaktojnë se cila parti do ta ketë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan dhe me të edhe fuqinë për të kontrolluar agjendën e presidentit.

Garat kryesore po zhvillohen krahas zgjedhjeve të para presidenciale që prej kur ndodhi sulmi ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021, por edhe në pjesë të papritura të vendit pas njërës prej periudhave më kaotike të punës së Kongresit në dekadat e fundit.

Në fund, vetëm një numër i vogël vendesh, madje ndoshta vetëm një ulëse, do të përcaktojë se cila parti do të ketë kontrollin në dy dhomat e Kongresit. Ekonomia, siguria e kufirit, të drejtat riprodhuese dhe e ardhmja e demokracisë amerikane ishin ndër temat kryesore të fushatës.

Në Senat, ku demokratët tani kanë një shumicë të vogël me 51 vende, republikanët, që tani kanë 49 vende, pritet të shënojnë një fitore të hershme në shtetin e Virxhinias Perëndimore, duke krijuar një ngërç në këtë institucion. Garat kryesore për të përcaktuar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve janë të përqendruara në Nju Jork dhe Kaliforni, ku republikanët viteve të fundit arritën të fitonin përkrahje me disa ligjvënës të popullarizuar, që u sollën atyre fitoren.

Garat tjera për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve janë të shpërndara në pjesë të tjera të vendit, me vetëm disa dhjetëra kandidatë që po sfidohen. Prej tyre, gara të rëndësishme po zhvillohen në Mein, Nebraskë dhe Alaskë.

Numërimi i votave në disa raste pritet të zgjasë përtej ditës së martë. “Jemi shumë afër për ta rikthyer shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve”, deklaroi udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë afrikano-amerikan i Dhomës së Përfaqësuesve nëse Partia Demokrate fiton shumicën.

Por Kryetari i tanishëm i Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan Mike Johnson thotë se republikanët do të “rrisin” epërsinë e tyre. Gara për kontrollin e Kongresit ka fuqinë t’i jetësojë apo t’i rrënojë përparësitë e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara. Kongresi po ashtu mund të luajë rol në vazhdimin e traditës amerikane për transferimin paqësor të pushtetit. Para katër vitesh, zoti Trump nxiti turmën e përkrahësve të shkonin në Kapitol dhe shumë republikanë në Kongres votuan kundër certifikimit të fitores së Presidentit Joe Biden. Kongresi sërish duhet të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në vitin 2025./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb