Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i ftuar në emisionin Open në News 24 tha se trampizmi po bëhet një frymë politike.
Dule tha se emigracioni është një gangrenë në SHBA dhe se beson se Trump do fitojë pikë në këtë çështje. Ai shtoi se Donald Trump do të tentojë të afrohet me Rusinë, me qëllim që të largojë Moskën nga Kina.
Vangjel Dule: Sot Trump ka nën kontroll të plotë Partinë Republikane. Trampizmi po bëhet një frymë politike. Zoti Trump vjen me një disavantazh, atë që ndodhi në Kapitol. Por Trump vjen dhe me avantazhe, është niveli ekonomik i amerikanëve gjatë presidencës së tij. Ne shikojmë politikën globale, por amerikanët shikojnë taksat, çështjet ekonomike. Donald Trump tha se lufta në Ukrainë do të mbarojë nëse bëhet president, por nuk na e tha sesi do ta bëjë këtë gjë.
Trump ka bërë ‘luftë’ edhe ndaj emigracionit. Emigracioni është kthyer në një gangrenë për Amerikën. Trump ka disavantazh për abortin. Donald Trump mbështet fort linjën konservatore, por nga kjo çështje ka distancim edhe nga zonjat në Partinë Republikane. Trump sheh Kinën si rrezik kombëtar për Amerikën. Donald Trump do synojë që të afrojë Rusinë, që të largojë Moskën nga Kina.
(Balkanweb)