Në dy momente kyçe të sezonit, në derbin kundër Inter në Serie A dhe në Champions kundër Realit, Milani i tij zhvilloi dy super sfida duke dalë triumfator, dy suksese të rëndësishme që largojnë “hijet” mbi trajnerin Fonseca. Tekniku portugez nuk e fshehu gëzimin pas fitores në “Bernabeu”, duke zbuluar dhe recetën e suksesit:

“Fituam pasi lojtarët luajtën me guxim, erdhën këtu pa pasur frikë nga askush. U treguam të zotë që mbajtëm topin në këmbë, më pas të kujdesshëm duke i goditur në momentin e duhur. Ndeshjet evropiane janë të ndërlikuara, janë shumë ndryshe nga ato të Serie A. Është më e vështirë të luash kundër Monza-s e Cagliarit se sa kundër Realit. Tani duhet të vazhdojmë të rritemi”, u shpreh Fonseca.

I ndryshëm është diskutimi në Spanjë, ku të gjithë në radhët e Realit, nga trajneri Ancelotti dhe deri tek lojtarët, kanë përfunduar nën akuzë pas një ecurie shumë negative: “Nuk kishte asnjë reagim pas asaj ndeshje kundër Barcelonës. Shpesh ishim të zhbalancuar, nuk arrinim të rikuperonim topin. Duhet të jemi të përgatitur pasi ekipi nuk po jep më të mirën. Duhet ta nisim nga poshtë pasi ndeshjet tani ndërlikohen. Milan tregoi epërsi në duelet një kundër një, ndërsa ne u treguan të lehtë, jo efikas”, theksoi Ancelotti.

6 pikë në 4 ndeshje janë shifra që nuk i shkojnë përshtat një ekipi si Real Madrid, ndërsa kjo fitore e dërgon Milan në të njëjtën kuotë pikësh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb