Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka uruar republikanin Donald Trump për fitoren në garën presidenciale në SHBA, një fitore që ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht.
“Urime Donald Trump për fitoren tuaj. Së bashku, përballemi me sfidat serioze që kemi përpara. Serbia është e angazhuar të punojë me SHBA-në për stabilitet, rritje dhe paqe”, shkroi Vuçiq në X.
Edhe pse fitorja e Trumpit ende nuk është konfirmuar, ai duket të jetë pranë fitores pasi ka siguruar shtetet kyçe si Pensilvania dhe Karolina e Veriut dhe ka avantazh në katër të tjera, sipas sondazhit të Edison Research.
Vetë Trump e shpalli fitoren në një fjalim të mbajtur përpara mbështetësve të tij në Florida.
Fitoren e Trumpit e mirëpriti edhe presidenti prorus i Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili është në listën e zezë të SHBA-së.
“Një nga fitoret më të rëndësishme elektorale në historinë e fundit të SHBA-së, por edhe të botës”, shkroi Dodik në X.
Gjatë viteve që administrata amerikane është udhëhequr nga presidenti demokrat Joe Biden, Serbia dhe liderët e saj politikë kanë vazhduar të mbajnë marrëdhënie të ngushta me ish të dërguarin amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell.
Presidenti i Serbisë i dorëzoi atij një dekoratë shtetërore në tetor të vitit 2023 dhe me atë rast vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës “jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Serbisë”.
Grenell është ende aktiv në fushatën presidenciale të Trumpit. Ndërkohë, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ka investuar në ndërtesën e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.
Serbia ka nënshkruar një kontratë me firmën e Kushnerit për “rivitalizimin” e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Në vendin e rrënojave nga bombardimet, është planifikuar ndërtimi i dy ndërtesave të larta me apartamente dhe hotele, megjithëse nga ky objekt, i ndërtuar mes viteve 1955 dhe 1965, nuk është hequr statusi i mbrojtjes si pasuri kulturore.
Shumë vëzhgues të Ballkanit e kanë parë marrëveshjen me Kushnerin si përgatitje të Serbisë për kthimin e mundshëm të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, Vuçiç, në një intervistë për gazetën britanike *Financial Times*, tha se marrëveshja është thjesht një “sipërmarrje biznesore”.
“Miku im [kryeministri hungarez] Viktor [Orbán] është 100 për qind në anën e Trumpit. Miqtë e mi nga Brukseli janë 100 për qind në anën e [presidentit aktual të SHBA-së, Joe] Biden. Unë nuk jam. Unë jam në anën serbe duke i pritur rezultatet”, tha Vuçiç për Financial Times.