Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, ka vendosur dje pranimin e kërkesës së të dënuarit Ermal Nika nga Saranda, duke deklaruar të shuar dënimin e dhënë ndaj tij.
Ermal Nika, 43 vjeç, kërkohet prej 16 korrikut 2006, kur në fshatin Vanë të Delvinës janë sekuestruar 648 kg marijuanë. Në pranga atëherë ranë oficerët e policisë së Sarandës, Ylli Kapo e Gentian Baba ndërsa u shpall në kërkim Ermal Nika e Pelivan Mehmetaj.
Ky i fundit u ekstradua nga Italia në vitin 2014, ndërsa Nika vazhdonte të ishte në arrati deri ditën e djeshme. 43-vjeçari nga Saranda është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në vitin 2008 me 5 vjet e 4 muaj burgim, vendim i lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë në vitin 2014 pas një kalvari procesesh që përfshiu edhe Gjykatën Kushtetuese.
VENDIMI
1. Kërkuesi Ermal Nika me datë 06.09.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Parashkrimi i ekzekutimit të vendimit nr. 12, datë 18.12.2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, pasi kanë kaluar 10 vjet nga data e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, më datë 05.03.2014.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 379, 470-480, të K.Pr.Penale dhe në nenin 68 të K.Penal, me vendimin Nr. 517, datë 05.11.2024, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së kërkuesit (të dënuarit) Ermal Foto Nika.
2. Deklarimin e shuar të dënimit dhënë ndaj të dënuarit Ermal Foto Nika me vendimin Nr. 12 datë 18.02.2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, për të cilin është vendosur ndryshimi me vendimin Nr. 32, datë 22.05.2008 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Tiranë, i cili është lënë në fuqi me vendimin Nr. 64, datë 05.03.2014 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, për shkak të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit, në kuptim të nenit 68/b të Kodit Penal.
3. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.