Sërish, krejt ndryshe nga sondazhet dhe parashikimet, zgjedhjet e shumëpritura presidenciale amerikane përfunduan me fitoren e thellë të ish Presidentit Trump. Trump do të rikthehet më 21 janar 2025 në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i 47 i SHBA-ve, duke shënuar dhe rikthimin më të madh politik në historinë amerikane.

Vetëkuptohet që meqenëse bëhet fjalë për shtetin më të fuqishëm dhe demokratik në botë, kudo bëhen analiza të shumta mbi faktorët e kësaj fitoreje, të cilat do të vazhdojnë deri në krijimin e Administratës së re amerikane dhe politikat vijuese.

Në vijim, po shpjegojmë dhe ne “ flash” në mënyrë të përmbledhur 10 “ psetë” apo faktorët kryesorë që ndikuan në fitoren e bujshme të Presidentit të zgjedhur Trump.

Fillojmë me personalitetin frymëzues të Trump, i cili bashkë me zëvendësin e tij J.D. Vance zhvilloi një fushatë fituese, frymëzuese dhe mobilizuese, me oferta konkrete për shqetësimet më madhore të amerikanëve të thjeshtë, me sloganet e njohura ” Amerika e para” dhe ” Ta bëjmë Amerikën prapë të madhe”.

Në diskurset e veta publike, ai dalloi sepse mishëroi zhgënjimin, zemërimin dhe shqetësimin e gjerë publik ndaj qeverisë dhe politikave të saj të gabuara, duke tërhequr mbas vehtes dhe një numër të madh votuesish demokratë.

Tejet e rëndësishme për këtë fitore ishte energjia pozitive, forca dhe rezistenca e paepur që Trump tregoi ndaj sulmeve të shumta të kundërshtarit dhe të pushtetit gjyqësor. Kështu, mbas çdo padie të re, ai thoshte i pa shqetësuar fare se mjafton dhe një tjetër dhe fitoren e kemi në xhep. Këtë qëndrim do thënë heroik ai e shfaqi sidomos mbas atentatit të parë të dështuar, kur dhe pse i plagosur, fotoja e tij me grushtin lart” bëri xhiron e botës”. Ndërkohë, me retorikën dhe prononcimet e tij me gjuhë të thjeshtë, açik, të qartë dhe me doza humori ndaj Biden dhe Harris, Trump siguroi një mbështetje të madhe, përfshirë gratë dhe shtetet e lëkundura që votuan në masë në favor të tij.

Besnikëria e patundur e mbështetësve të shumtë të Trump në çdo kohë të vështirë. Ata jo vetëm nuk u ndikuan, por e shtuan dhe më shumë mbështetjen e tyre dhe përballë dhjetra proceseve penale, dy atentateve dhe sulmeve të tjera verbale nga media, politika dhe njerëz të tjerë. Falë këtij faktori të fuqishëm, fushata e Trump përballoi me sukses futjen në garën presidenciale të Zonjës Harris; ndonëse Trump u detyrua të bënte shpejt ndryshimin rrënjësor të strategjisë dhe taktikave zgjedhore; kjo mbasi tani nuk kishte të bënte më me një 81 vjeçar, të ezauruar nga mosha dhe gjendja jo e mirë shëndetësore si Presidenti Biden, por me një grua energjike, me shumë ndikim te afrikano-amerikanët, që kishte me vehte gratë me shumicë edhe pse pa përvojë politike dhe zgjedhore.

Presidenca 4 vjeçare Biden – Harris dhe sjellja e tyre politike kishte nga pas dhe një faturë të rëndë politike për ta dhe një avantazh për Trump-in. Ndonëse Biden 5 vite më parë e mundi Trump me një strategji të kujdesshme politike, këtë rallë strategjia anti-Trump e Harris nuk funksionoi; sepse ajo ishte ezauruar. Në fakt, Harris nuk dha oferta kopnkrete, sidomos për shqetësimet e përditshme që do të trajtohen më poshtë, çka e bëri shumë më mirë Trump. Veç kësaj, 94 paditë dhe akuzat penale dhe civile nuk ishin shumë të besueshme dhe nuk kishin lënë shije të mirë jo vetëm te mbështesit, por dhe më gjerë, ndaj u etiketuan si “ gjueti shtrigash” duke shtuar “ “aksionet në bursën politike dhe zgjedhore“ të Trump-it.

Ndikim negativ për fushatën e Harris patën disa lapsuse dhe gafa të rënda politike me efekte të mëdha psikologjike sidomos kur ishte fundi i fushatës presidenciale. Mjafton të përmendim etiketimin “ fashist që iu bë Trump-it nga vetë Harris, e cila krijoi shumë reagime negative dhe te vetë mbështetësit e saj dhe veteranët. Sepse ata nuk mund të krahasonin Trump me Hitlerin, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Kulmi arriti 2 -3 ditë përpara zgjedhjeve, kur Bideni ndërhyri fare pa qenë nevoja, duke i etiketuar mbështetësit e Trump si “plehra apo mbeturina” ç’ka krijoi zemërim të madh te mbështetësit e Trump. Por ky i fundit reagoi drejt, duke u shfaqur bujshëm në një kontejner plehrash përpara gazetarëve të shumtë, duke stigmatizuar Biden dhe Harris.

Për pasojë, megjithë avantazhin e fillimit mbas emërimit si kandidate për presidente, Harris nuk arriti dot të thellonte avantazhin, megjithë mbështetjen nga Obama, Clinton dhe VIPA të tjerë të mëdhenj dhe artistët më të shquar amerikanë. Këtu ndikoi dhe e kaluara e saj jo mbresëlënëse, lënia në hije nga Presidenti Biden dhe futja me vonesë në garë, në dy 3 – 4 muajt e fundit.

Nisur nga sa sipër, analisti i shquar politik amerikan i CNN-t, Harry Enten kishte paralajmëruar publikisht ditët e fundit për një fitore bindëse të Trump-it. Sipas tij, nga viti 1980 janë rizgjedhur ata presidentë ose nënpresidentë, pëlqyeshmëria për të cilët ka qenë jo më pak se 42 për qind. Mirëpo, aktualisht, pëlqyeshmëria për Presidentin Biden/Harris ishte vetëm 28 për qind, pra me një diferencë të ndjeshme kundrejt 42 për qind të nevojshëm për fitore.

Mbështetja nga media, personalitetet dhe artistët: Ndonëse shumica e personaliteteve VIP dhe artistëve elitarë mbështetën Harris gjatë fushatës bashkë mùe disa media të mëdha, këtë radhë efektet e kësaj mbështetjeje u sfiduan nga fushata dhe tiparet e saj të përshkruara më lart. Plus faktit që dhe Trumpin e mbështetën personalitet të fuqishëm të biznesit, artit, medias dhe kinematografisë.

Oferta ekonomike e Trumpi-it ishte tejet e rëndësishme, mbasi ekonomia dhe sidomos e ardhmja e saj është shqetësimi më i madh për amerikanët; me një inflacion 2,8 për qind, papunësi 4,1 për qind, dhe rritje ekonomike 3,3 për qind; gjithsesi këtu problemi më i madh është te pasiguritë për të ardhmen dhe mendimi se cili kandidat ishte më i përshtatshëm për të bërë kthesën e duhur në këtë fushë përparësore. Shumica e tyre vazhdimisht kanë parapëlqyer Trump, falë përvojës së tij sipërmarrëse dhe presidencës së kaluar kur pati lulëzim të vërtetë ekonomik.

Trump ka premtuar të marrë masa për derregullimin e ekonomisë, forcimin e proteksionizmit tregtar, duke vendosur tarifa deri 20 për qind ndaj produkteve të huaja, qoftë dhe të BE-së, etj.

Ndërkohë që Harris nuk ka dhënë shpjegime të qarta dhe bindëse për politikat e saj ekonomike, për shmangien e pabarazive të mëdha social – ekonomike, dhe as nuk u distancua nga mungesat dhe mangësitë e politikave ekonomike qeveritare.

Kriza e azilit të paligjshëm ishte dhe mbetet shqetësim tjetër alarmant për votuesit amerikanë. Në vitin 2022 në SHBA kishte 12 milion emigrantë të paligjshëm, baraz me 3 për qind të popullsisë amerikane nga 13 për qind që zenë të gjithë emigrantët. Veç të tjerash, frika e madhe është dhe të shtimi i krimit nga këta emigrantë të paligjshëm. Kjo dihej qysh në fillim, ndaj dhe u tha se arritjet e sidomos qëndrimet dhe premtimet nga ana e Nënpresidentes Harris për këto pika të dobëta me shumë interes për amerikanët e thjeshtë mund të ishin përcaktuese për fitoren e këtyre zgjedhjeve. Mirëpo Zonja Harris ishte disi e kompromentuar si sepse bashkë mùe Presidentin Biden ajo është treguar e pafuqshme për të frenuar dhe ofruar zgjidhje të qëndrueshme për azilin e paligjshëm me dyndjet në masë nga Meksika. Demokratët kritikuan ashpër atëhere Presidentin Trump për Murin gjigand me Meksikën, por nuk shkuan dot më larg, madje dhe Murin e mbajtën.

Në këtë gjendje të zymtë, Trump krahs të tjerash premtoi se do të realizojë operacionin më të madh të dëbimit të azilantëve të paligjshëm në historinë amerikane, duke e forcuar ndjenjën e sigurisë në të gjitha shtetet e prekura.

Politika e jashtme e lidhur me ndikimin e brendshëm ishte faktor tjetër i rëndësishëm që ndikoi në fitoren e Trump, megjithë disa qëndrime të tij të paqarta, të pasigurta dhe kundrathënëse të shfaqura dhe gjatë presidencës së tij të kaluar. Këtë radhë, kandidaten Harris e rëndonin tej mase dështimi i realizimit të premtimeve të mëparshme për një politikë të jashtme aktive, në shërbim të forcimit të demokracisë dhe vlerave perendimore dhe për një paqe të qëndrueshme.

Vetëm me dy samite kushtuar demokracisë dhe ato në “ zoom” disa “non-grata” por duke mos bërë asgjë ndaj disa liderëve autokratë në favor të stabilokracisë nuk mund të flitet për sukses të Administratss Biden. Vetë raporti i Projektit Botëror të Drejtësisë i bërë publik ditët e fundit tregon përkeqësimin e ndjeshëm të sundimit të ligjit dhe demokracisë në 80 për qind të shteteve në botë.

Kjo u pa qartë dhe në tërheqjen kaotike me shumë pasoja për imazhin e fuqisë ushtarake amerikane nga Afganistani, e cila shënoi dhe fundin e demarsheve për ndërtimin e demokracisë në atë vend. Po kështu, ashpërsimi i toneve me Kinën, dalja dhe zgjerimi i bllokut sfidues “BRICS” e deri te ngecja në vend e dialogut Prishtinë – Beograd, janë dështime të qarta dhe të Administratës Biden/Harris.

Veç kësaj, në 4 vitet e fundit, konfliktet dhe luftrat masive e kanë kërcënuar dhe minuar më shumë se asnjëherë më parë paqen kudo në botë. Kjo si pasojë e diplomacisë së gabuar qetësuese/përkëdhelëse të Perëndimit dhe SHBA-ve ndaj Rusisë, Kinës, etj. Me besimin naiv se bashkëpunimi dhe begatia ekonomike do të shmangte çdo konflikt dhe agresion dhe do të mundësitne përfitime të majme nga i ashtuquajturi “ divident i paqes”.

Derisa erdhi 24 shkurti 2022 kur Rusia ndërmori agresionin e paprovokuar kundër Ukrainës, duke sfiduar SHBA-të dhe gjithë Aleancën Perendimore.

Nga ana tjetër vazhdimi pa afat i luftës atje, me pasoja të mëdha financiare për SHBA-në e ka ndarë vendin më dysh. Me republikanët shumë më të rezervuar për të mbështetur më tej Ukrainën dhe në favor të një paqeje të shpejtë, pavarësisht nga kostoja e saj. Në këto kushte, Trump me alternativën e tij zuri vend ose ngjiti më shumë te zgjedhësit me pohimin se ai nuk ka bërë luftë dhe se do t’i japë fund shpejt luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, integritetin dhe imazhin e politikës së jashtme dhe diplomacisë amerikane e ka cënuar ndjeshëm sulmi terrorist i 7 tetorit 2023 nga Hamasi dhe përshkallëzimi i rrezikshëm i gjendjes në Lindjen e Mesme, kërcënimet e Iranit, etj. Gjithashtu, fakti që Natanjahu nuk po e pyet më si më parë SHBA-të dhe i ka kaluar “vijat e kuqe” dhe mbështetja për të ka krijuar zemëratë dhe zhgënjim masiv e shprehur dhe në protestat e shumta nga forcat pro-palestineze. Këto të fundit shkuan deri në distancimin e tyre për mbështetjen ndaj Harrisit, e përkthyer kjo në një humbje të konsiderueshme votash.

Lidhur me këto ngjarje, premtimet dhe qëndrimet e Trump për një diplomaci të fuqisë duket se kanë zenë më shumë vend, sikurse ka ndodhur dhe në Europë me rritjen e ndjeshme të forcave të ekstremit të djathtë. Shënojmë me këtë rast se më 2020 Trump arriti të realizonte të ashtuquajturat “ Marrëveshje Abrahams” me vendet Arabe dhe Izraelin, dhe një dakordësim mes Prishtinës dhe Beogradit, të cilat, ndonëse jo të plota ishin hap i madh drejt stabilizimit të situatës atje.

Së fundi, kuptimi i këtyre dhe të tjera “pse-ve” ndihmon për të vlerësuar drejt pozicionet e ardhshme të Administratës së re Trump dhe qëndrimet ndaj saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb