Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris do të mbajë një fjalim duke pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale për Donald Trump në orën 16:00 (22:00 GMT) të mërkurën.

Ky do të jetë reagimi i parë i Kamala Harris pas humbjes në zgjedhjet Presidenciale.

Ndërkohë, kandidatja demokrate po punon për fjalimin e saj të cilin do ta mbajë më vonë gjatë ditës nga Universiteti Howard, shtoi një ndihmës.

Harris do të flasë në orën 16:00 me orën e Uashingtonit dhe “do t’u lutet mbështetësve të saj të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve”, siç raportojnë ndihmësit e saj për CNN, duke shpjeguar se Harris do t’i kërkojë gjithashtu vendit të punojë së bashku”.

Sky News raporton se Harris pritet të telefonojë Donald Trump më vonë për të pranuar zyrtarisht humbjen.

Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm. Me një fitore në Uiskonsin, zoti Trump siguroi 277 vota elektorale nga 270 sa janë të nevojshme për të siguruar presidencën.

Mëngjesin e së mërkurës ndërsa ende po numëroheshin votat, Trump shpalli fitoren në një tubim në Florida. “Kjo ishte një lëvizje që askush nuk e ka parë ndonjëherë më parë dhe sinqerisht, kjo ishte, besoj, lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave”, u tha Trump mbështetësve të tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb