Tirana nuk po kalon një sezon pozitiv. Rezultatet e dobëta, ndryshimet, dënimi i Disiplinës për të luajtur pjesën e mbetur të sezonit pa tifozë apo edhe situata e përgjithshme në kampin bardheblu kanë “trazuar ujërat” në kryeqytet. Ard Mema, një nga ata që ka kontribuar shumë për Tiranën, në një intervistë për Sport News në News 24, tha se beson te ringritja e skuadrës, ndërsa theksoi faktin se në këto kushte, nuk do pranonte të drejtonte vetë këtë skuadër. Mema shprehu pakënaqësinë e tij për vendimin e Disiplinës, të cilin e cilësoi si të papranueshëm.

 

 

Mema, e prisje shkarkimin e Shkëmbit, apo ishte pak i vonuar, duke njohur dhe natyrën e presidentit Halili, nuk është se shquhet për durim…

Pritshmëritë te Tirana janë të mëdha, sidomos kur bëhet fjalë për trajnerin. Rezultatet janë ato që ndikojnë te puna e çdo trajneri, për të arritur objektivat që ka klubi dhe për të parë edhe fillimin e kampionatit. Po marrim Tiranën dhe Partizanin, të dyja, duke qenë se janë skuadra të mëdha, duhet të kenë të vrullshme pjesën e fillimit. Kjo nuk ndodhi te Tirana, medoemos do merrte vendimin Presidenti.

Unë, në të njëjtën periudhë jam larguar në vend të 3-të, me 3 pikë diferencë me vendin e parë. Ai e gjykoi kështu dhe vendosi, ndoshta dhe bëri mirë. Gjërat duhen parë që në fillim sesi menaxhohet dhe sesi bëhet merkato për mbarëvajtjen e kampionatit. Nuk duhet të kemi probleme të tilla që në fillim të kampionatit.

Ishte Shkëmbi përgjegjësi kryesor i kësaj situate, ose ta bëjë ndryshe pyetjen, pse është Tirana në këtë gjendje?

Ndoshta mund ta kishte lënë dhe dy ndeshje për t’i dhënë pak kohë, nuk është vetëm faji i trajnerit. Gjërat janë komplekse, menaxhimi i lojtarëve, ana financiare, këto gjëra bëhen gjitha bashkë. Trajneri mund të thotë “Po” ose “Jo”  në fillim të kampionatit për këtë ekip që po ndërton Tirana. Tirana ka patur fatin e keq që ka patur barazime. Te ky klub është edhe presioni i tifozëve, që duan gjithmonë…fitoren.

Halili ka përzgjedhur Maganin, por i zgjidh hallet e Tiranës trajneri i ri?

Kjo është për t’u parë. Po t’mu afronte, unë nuk do shkoja. Nuk do t’i hyja, mendoj un që mund të jetë edhe aventurë. Një trajner i ri nuk joshet nga ana financiare, por gjithmonë mendon për anën teknike. Domethënë mendon, a do ja dal dot me këtë grup?! Unë i uroj me gjithë shpirt që Maganit t’i ecë mbarë. Kam besim, unë e njoh atë, ka shumë personalitet. Ka qenë më parë te Tirana dhe përse jo, mos të bëjë ndryshimin e duhur.

Mema, një pyetje direkte, a rrezikon Tirana të zbres nga kategoria, i druhesh këtij skenari?

Kjo është ajo pjesa që të thashë…aventurë! Ne që kemi punuar aty, e dijmë. Nuk më pëlqeu pjesa e dënimit të Disiplinës, e njëjta gjë i ka ndodh Tiranës edhe vitin që ra nga Kategoria.

Si e sheh vendimin e Disiplinës për të lënë Tiranën pa tifozë deri në fund të sezonit?

Nuk e kuptoj ç’është ky dënim kolektiv. Jemi në demokraci, ai që ka bërë fajin, le ta paguajë. Nuk mund të dënosh gjithë njerëzit, ka plot që janë familjarë dhe duan ta shikojnë Tiranën. Nuk më pëlqen fare që Komisionet pranë Federatës kanë marrë këtë vendim. Ndoshta janë ndikuar, kjo mbetet për t’u parë. Ka edhe Komision Apeli. Kjo ishte e turpshme, që t’i dënosh njerëzit komplet.

Pa tifozë për pjesën e mbetur të sezonit, pa një ekip me emra cilësorë, a mund të zgjidh merkato e janarit të gjithë problemet? 

Kjo merkato e janarit është bërë si një lloj ngushëllimi. Kjo është si me të thënë unë ty, të kalosh situatën. Janari është i vakët. Nëse kanë gjet ndonjë burim lojtarësh, nuk e di. Lojtarët e mirë kanë çmime të tjera, nuk i drejtohen Shqipërisë.

Mema, çfarë këshille keni për popullin bardheblu, për klubin për tifozët, për të gjithë ambientin?

Nuk duhet lënë më vetëm. Tifozët dhe ekipi duhet të jenë bashkë-udhëtare të dyja, që të paktën të shpetojnë sezonin dhe të shikojnë më pas, si do rrjedhin gjërat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb