Barça e Hansi Flick nuk di të ndalet, janë të papërmbajtshëm edhe në Champions, duke siguruar një tjetër fitore me goleadë. Lewandowski me shokë këtë herë “çmontuan” Crvena Zvezda-n me rezultatin e thellë 5-2.
Inigo Martinez hapi siparin e goleadës duke kaluar Barçën në avantazh që në minutën e 12-të. Serbët reaguan duke u rikthyer në lojë në minutën e 27-të, me Silas që depërtoi në zemër të mbrojtjes duke barazuar shifrat në 1-1. Në fundin e pjesës së parë, në minutën e 43-të, Robert Lewandowski ndoqi mirë aksionin, përfitoi nga një top i kthyer pas goditjes së shtyllës dhe me portën e boshatisur e kishte të lehtë ta shtynte në rrjetë.
Historia nuk ndryshoi as me fillimin e pjesë së dytë, por stafetën e mori Kounde me dy assite, fillimisht shërbeu për Lewandowskin në shtyllën e dytë, me polakun që realizoi “dopietën” e tij personale, ndërsa dy minuta më pas futi një top të bukur në qendër për Raphinha-n, me brazilianin që realizoi golin e katërt për Barcelonën. Ekipi i Flick kishte kontrollin total të lojës, por nuk u mjaftuan me kaq, në minutën e 76-të Fermin Lopez kompletoi “manitën” e golave. Në fund, kishte kohë dhe për një tjetër gol, por këtë herë ishte Milson që me një goditje shumë të bukur sigloi shifrat finale në 5-2.
“Manita Evropiane”, shkruan Sport në faqen e parë.
(BalkanWeb)