Prokuroria e Posaçme nuk do të nisë procedim ndaj 23 deputetëve të opozitës që dogjën karriget e Kuvendit gjatë seancës së 30 shtatorit.
Deputetët e PD u referuan në Policinë e Shtetit pasi u mblodhën prova ku u vendos që kallëzimi të dërgohet në SPAK.
BalkanWeb mëson se Prokuroria e Posaçme pas marrjes së këtij kallëzimi ka kryer verifikime dhe ka vendosur mos fillimin e procedimit.
“Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk rezulton të jetë regjistruar ndonjë procedim penal mbi bazën e referimeve të Drejtorisë së Policisë Tiranë, të bërë ndaj disa deputetëve të Kuvendit për shkatërrim të pronës me zjarr.
Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton të jetë regjistruar kallëzimi penal Nr.211, viti 2024, mbi bazën e referimit të Drejtorisë së Policisë Tiranë të bërë ndaj disa deputetëve të Kuvendit për “Shkatërrim të pronës me zjarr”.
Pas kryerjes së verifikimeve në lidhje me këtë kallëzim penal është vendosur mosfillim procedimi penal, më datë 18.10.2024.
Gjithashtu, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton të jenë regjistruar 8 kallëzime penale ndaj deputetëve të Kuvendit, mbi bazën e referimeve të bëra nga Drejtoria e Policisë Tiranë, për vepra penale të tjera. Pas kryerjes së verifikimeve në lidhje me këto kallëzime penale është vendosur mosfillim procedimi penal”.
Deputetët e opozitës iu rikthyen këtë të enjte normalitetit në Kuvend.
Prej 30 shtatorit ata kishin zhvilluar protesta brenda dhe jashtë Parlamentit të cilat kulmuan me djegien e karrigeve dhe përplasjet me Gardën vijuan sa herë që mblidhej Kuvendi përgjatë më shumë se 1 muaji.
(BalkanWeb)