Kryeministri Edi Rama ka folur në Budapest për zgjedhjen e Donald Trump president të SHBA-së për herë të dytë. Rama ka thënë se për Shqiptarët, SHBA-ja është SHBA dhe se s’bën dallim se kush drejton Shtëpinë e Bardhë. Rama ka thënë se shqiptarët janë komuniteti më pro-amerikan në Evropë. “Për Shqipërinë s’do të thotë asgjë në sensin që s’ndryshon asgjë. Kushdo që është në Shtëpi të Bardhë s’bën dallim meqë SHBA është SHBA. Ne s’jemi të ndikuar nga emocionet, për shkak se për ne është e njëjtë”, ka thënë Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi më tej se kur Trump ishte zgjedhur për herë të parë president i SHBA, të gjithë ishin frikësuar, megjithatë thotë se gjatë asaj periudhe, NATO ishte bërë edhe më e fortë. Rama ka deklaruar se ardhja e Trump s’duhet të shihet si diçka negative, përkundrazi duhet të shihet si një mundësi për Europën mbase për t’i bërë gjërat edhe më mirë.
“Unë jam më i gjati mes të gjithë tyre, por përfaqësoj një vend të vogël, kështu që nuk më takon mua të flas për gjëra të tilla kaq të mëdha, si ajo çfarë po ndodh në Gjermani apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, në fund të fundit, besoj që Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjitha këto vende të mëdha janë mjaftueshëm të forta për t’i kapërcyer të tilla situata dhe ndoshta në një farë mënyre, kjo do të ndihmojë gjermanët, të bëjnë më shumë, e po kështu të kuptojnë se kanë një vend të madh.
Besoj se ajo çfarë është thënë, ajo çfarë është diskutuar intensivisht përpara zgjedhjeve evropiane, shkoi shumë larg dhe ndërkohë ajo çfarë ndodhi me zgjedhjet në Shtete e Bashkuara të Amerikës mund të përbëjë një mundësi për të riformësuar shumë gjëra, për ta parë botën paksa ndryshe, për ta parë vetë Europën paksa ndryshe sepse Evropa po bëhet më e vjetër. Ka nevojë për më shumë energji, për më pak rregullime dhe ndoshta është mundësi për të vënë në lëvizje gjërat.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fund të fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendoj se janë më të forta se çdokush që është në Shtëpinë e Bardhë, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, e thashë, ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jetë një gjë shumë e mirë për Evropën”, tha Rama.
(BalkanWeb)