Rreth 50 liderë evropianë përfshirë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe shefin e NATO-s, Mark Rutte janë mbledhur të enjten në Budapest për të diskutuar për marrëdhëniet e tyre transatlantike.
Ata shpresojnë se nuk do të kenë mospajtime të ngjashme me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, sikur gjatë mandatit të tij të pare.
Në mesin e liderëve që po marrin pjesë në samitin e Budapestit janë edhe ata të Ballkanit Perëndimor, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e falënderoi kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për mikpritjen.
Liderët evropianë do të kërkojnë edhe pajtueshmëri për një qëndrim të përbashkët dhe të fuqishëm ndaj Rusisë gjatë këtij samiti njëditor.
Rutte, i cili ishte kryeministër i Holandës gjatë mandatit të parë të Trumpit 2017-2021, tha se “punova shumë mirë me të gjatë katër vjetëve”.
“Ai është shumë i qartë për atë që dëshiron. Ai e kupton se duhet të merremi me njëri-tjetrin për të ardhur në një përfundim të përbashkët. Dhe, mendoj se mund ta bëjmë këtë”, tha Rutte.
Trumpi i shtyu aleatët evropianë të NATO-s të shpenzojnë më shumë në mbrojtje gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Ai u kërkoi atyre të shpenzojnë mbi 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për mbrojtje, ashtu siç kërkohet nga shtetet e NATO-s, si dhe të jenë më pak të varura nga ushtria amerikane.