Pasuria e 10 njerëzve më të pasur në botë, një listë e dominuar nga miliarderët e teknologjisë amerikane, është rritur në mënyrë rekorde pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale, sipas Bloomberg.
Indeksi i miliarderëve të Bloomberg vlerëson se 10 njerëzit më të pasur në botë fituan gati 64 miliardë dollarë të mërkurën, rritja më e madhe ditore që nga fillimi i indeksit, në vitin 2012.
Elon Musk, personi më i pasur në botë, regjistroi rritjen më të madhe, me një shtesë prej 26.5 miliardë dollarësh në pasurinë e tij, e cila tani qëndron në total 290 miliardë dollarë.
Mbështetësi i shquar i fushatës së Trumpit, përfitoi nga një rritje e çmimit të aksioneve të Teslas, prodhuesit të veturave elektrike ku ai është shef ekzekutiv dhe në të cilin ai zotëron 13% të aksioneve.