Kujtim Hoxha, ekspert ekonomie, i specializuar në fushën e pensioneve, tha se projektbuxheti i 2025 shihet i harmonizuar me degët e ekonomisë, të paktën në pamjen e jashtme.
Në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24, Hoxha tha se buxheti është 8.22 mld euro, më i lartë se ai i 2024, por ka një diferencë mes të ardhurave dhe shpenzimeve, dhe diferenca që duhet deficit është 680 mln euro.
Ai tha se në projektbuxhetin 2025 kemi të njëjtat ide nga Qeveria që shpalosen që në mandatin e parë të saj.
“Ky projektbuxhet për 1/3 e popullsisë, bëhet fjalë për pensionistët, ka një rritje krahasuar me 1 vit më parë, por nuk plotëson nevojat e tyre”, tha Hoxha.
Referuar fondit për pensionistët që është 53 mln euro, Hoxha tha se edhe vitin tjetër do të kemi të njëjtën kuotë indeksimi, 4.1 %, ashtu sikundër ndodhi në tetor.
Duke zbërthyer këtë fond, Hoxha tha se Qeveria mund të alokojë një bonus për fundvit dhe diku në muajin prill të ketë një shtesë për pensionet e ulëta.
Lidhur me rritjen e pensioneve, ai tha se mekanizmat dhe mundësitë reale për të rritur pensionet ekzistojnë.
Hoxha tha se Mali i Zi pensionin minimal e ka 405 euro, ndërsa në Serbi pensionet u rritën me 17 %.
“Duhet shumë kujdes për të ndryshuar pensionet me skemën e ardhshme, në mënyrë që të mos ndryshojnë raportet me degët e tjera të ekonomisë”, tha Hoxha.
Sipas tij, e rëndësishme është të mos prishen balancat. “Me mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore do të ketë një përmirësim të skemës”, tha Hoxha.