Në emisionin Vetting në News24 është hedhur dritë mbi mashtrimet përmes kredive online, ku jo pak qytetarë kanë rënë pre e mashtrimeve. Madje jo vetëm financiare, por të dhënat e tyre personale, janë futur në skemën e mashtrimit, duke mashtruar në emër të tyre, të tjerë persona.
Nga kërkimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin BOA nuk figuron asnjë institut financiar të nivelit të mesëm apo mikrokredi që të jetë regjistruar si person juridik apo fizik. Ky emër u vendos në motorin e kërkimit dhe jashtë vendit rezulton një institut financiar me po të njëjtin emër.
Gazetarët i janë drejtuar me një kërkesë me e-mail nëse kjo Bankë e huaj ka hapur filial në vendin tonë apo jemi përball një përdorje të emrit së kompanisë së huaj. Në përgjigjen e saj për “Vetting” shprehet si më poshtë.
Përgjigja e Bankës:
‘Përshëndetje dhe faleminderit që na kontaktuat. Ne nuk kemi asnjë degë të bankës tonë jashtë SHBA-së. Ne ofrojmë vetëm bashkëpunim me bankat ndërkombëtare që të lejojnë klientët e bankës së Amerikës të përdorin bankomatët e tyre pa të tërhequr para. Megi’
Duke qenë se pronarët e faqes BOA nuk kanë adresë fizike kanë kërkuar që pagesa t’ju shkojë përmes “ManeyGram” në këtë pikë të investigimit na del një tjetër emër.
Dërgesa do të bëhej tek shtetasi Alain Stanislas Pagbe. Vetting kryen pagesën 220 euro dhe komisionin për dërgesën që kushtonte 15 euro, më pas iu dërgohet me foto në WhatsApp që kishte përfunduar pagesën për përfitimin e kredisë.
Por a do të mjaftonin 220 eurot e kërkuara për të përfituar kredi?
Biseda 2
Banka BOA: Në sa minuta mund të kryeni pagesën?
Vetting: Për pak do të kryej pagesën. Sapo të kreva pagesën në emër të personit që më dërguat. Kjo është fatura, mund ta shihni. A jemi në rregull? Kur mund ta marr kredinë?
Nga verifikimet gazetarët investigativ zbuluan se Alain Stanislas Pagbe ishte njëri prej bashkëpunëtorëve të skemës së mashtrimit i cili i tërheq paratë jashtë kufijve të Shqipërisë pra 220 euro rezultuan të jenë dërguar në Francë.
Pas pagesës së parë e cila kaloi kufirin të infiltruarit i jepet një tjetër emër në këto momente e cila rezulton të jetë shtetasja E.E. Shtetasja shqiptare do të ishte bartësja e këstit të dytë ku do të transferohej pagesa.
Teksa shuma totale e paguar deri më tani arrin 430 euro, por kredinë e premtuar ende nuk po i miratohej të infiltruarit duke i përngjarë skemës piramidale PONZI.
Biseda 3
Vetting: Tani që ju kam paguar. Kur do të më jepni kredinë?
Banka BOA: Kontabilisti tha se duhet të paguani 380 euro për shpenzimet e sigurimit para se ai të japë kredinë.
Vetting: Tani po dyshoj. Ju keni thënë se nuk kërkoni sigurim mujor…
Banka BOA: 380 Euro kërkohen për sigurim mujor të kredisë, që duhet t’i paguani përpara se të merrni kredinë.
Vetting: Pse nuk ma shpjeguat që në fillim se duhet të paguaj edhe 380 euro? Atëherë duhet të më ktheni mbrapsht 220 euro. Nuk kam kaq para. Nuk jam i bindur që ju jepni kredi. A është ky mashtrim?
Banka BOA: Gjeni të paktën 210 euro që unë të mund të negocioj me kontabilistin dhe t’ju jap kredinë tuaj. Mua 220 euro nuk më bëjnë asgjë, jam njeri i përgjegjshëm, nuk jam fallco. Më the që nuk ke të paguash 380 euro, atëherë gjeni të paktën 210 euro.
Vetting: Kjo do të jetë pagesa e fundit? Ku duhet të paguaj?
Banka BOA: Nëse na paguani sot 210 euro përmes Bankës…., kredinë do ta merrni të hënën. Mund të na thoni saktësisht në cilën orë do të shkoni në bankë? Më poshtë po ju dërgojmë numrin e llogarisë Bankare ku duhet të kryeni pagesën në emrin e shtetases shqiptare E.E.
Grupi i mashtrimit kontaktoi sërish për të premtuar se të nesërmen do të jepnin kredinë, duke kërkuar disa të dhëna të tjera shtesë si Emër, Mbiemër, email, numër telefoni, numër llogarie bankare.
Biseda 4
Banka BOA: Duhet të klikoni në linkun e më poshtëm në “Transfercash.World”. Vendosni passwordin dhe kodin që ju sollëm.
Vetting: Si duhet të veproj tani?
Banka BOA: Klikoni për transferimin e parave
Vetting: Kam ngecur tek kodi i sigurisë, çfarë duhet të vendos këtu tek hapësira? Sëift?
Banka BOA: 07E8A7
Vetting: E vendosa kodin por më shfaqet kjo tabela që shihni në foto. Lexon transferimi i parave dështoi.
Por pavarësisht premtimit përsëri Vettingut i kanë kërkuar një tjetër pagesë.
Banka BOA: Ju duhet të paguani edhe 340 euro të tjera para se llogaria juaj të kreditohet, pasi është një bankë tjetër.
Vetting: Ju më thatë se nuk do të kërkoni para të tjera, por do të më jepnit kredinë. 340 euro ku duhet t’i paguaj?
Banka BOA: Pagesën e tretë duhet ta bëni në llogarinë bankare të shtetases shqiptare E.E. Kontabilisti tha se përveç pagesës së lartpërmendur duhet të na paguani edhe 130 euro për dosjen e autorizimit nga Ministria e Financave dhe do ta kesh menjëherë kredinë.
Vetting: Ju kërkoni pagesa vazhdimisht, atëherë jeni duke mashtruar, do të bëj kallëzim penal në polici për shtetasit e mësipërm.
E gjithë saga e tentativave për të përfituar kredinë ka 11 muaj që vijon, por asnjë qindarkë nuk ka kaluar në llogarinë bankare të Vettingut.
Pas kësaj bisede, mashtruesit e kredive kërkojnë që personi që do të përfitonte kredinë mund t’i drejtohet policisë ose gjykatës duke treguar një kartë identiteti që i përket një “viktime” të kredive, shtetas i moshuar italian i identifikuara si Francesco Minervini.
Për të parë se çfarë do ndodhte me kredinë e premtuar Vetting i la një afat prej 9 muajsh, kohë e mjaftueshme për të kaluar kredinë prej 22 mijë euro.
(BalkanWeb)