Forcat ruse nisën një tjetër sulm masiv me dron në orët e para të mëngjesit të së enjtes, duke synuar qytetet e Kievit dhe Odesës, sipas autoriteteve lokale.
Në kryeqytet dhe rrethinat e tij, ushtria ukrainase rrëzoi më shumë se 30 dronë.
Fragmente të disa prej këtyre dronëve ranë në zona të banuara dhe shkaktuan dëme në shtëpi dhe infrastrukturë tregtare, sipas administratës ushtarake të rajonit të Kievit.
Në Odessa, porti kryesor detar i Ukrainës në jug, një ndërtesë shumëkatëshe dhe një numër i papërcaktuar makinash u goditën gjatë sulmit, në të cilin u plagos edhe një burrë 30-vjeçar, sipas administratës ushtarake rajonale.
Dronët rusë arritën edhe në rajonin e Zhitomir, në Ukrainën qendrore, ku goditën infrastrukturën elektrike. Tre rrethe të qarkut kanë mbetur përkohësisht pa energji elektrike si pasojë e goditjes, sipas autoriteteve.
Në të njëjtën kohë, një bombë ajrore ruse ka vrarë një person në rajonin juglindor të Ukrainës, Sumi, në kufi me Rusinë.
Rusia sulmon territorin ukrainas çdo natë me dhjetëra dronë iranianë Shahed, një teknologji relativisht e lirë e aftë për të arritur distanca më shumë se 1000 kilometra.
Mbrojtja ajrore ukrainase kap shumicën dërrmuese të dronëve, të cilët megjithatë vazhdojnë të shkaktojnë viktima dhe dëme materiale nga mbeturinat që prekin infrastrukturën dhe banesat.
(A.A/BalkanWeb)