Ka nisur operacioni për shkarkimin e 102 kontejnerëve me mbetje të dyshuara në rrezikshme në Portin e Durrësit.
News24 ka siguruar pamje me dron nga momenti kur anijet janë ankoruar në por dhe nis shkarkimi i ngarkesës.
Anija “Moliva” ndenji për 12 ditë në det, pasi nuk ishte krijuar infrastruktura e nevojshme që ngarkesa të vendosej në një lokacion ku mund të bëhej mbikëqyrja e saj gjatë të gjithë kohës.
Megjithatë, pas një mbledhjeje të zhvilluar pasditen e djeshme mes autoritetit portal dhe policisë u vendosur që të ndërmerrej ky operacion.
Sipas burimeve nga porti dhe kapiteneria ” është parashikuar qe 102 kontejnerët me mbetjet e rrezikshme do transportohen në një zonë në Porto Romano, ku do të mbahen të mbikëqyrura 24 orë siç ka kërkuar edhe Prokuroria e Durrësit.
Pas vendosjes së tyre në këtë hapësirë të sigurt, pritet të procedohet me marrjen e kampionëve nga secili kontejner dhe dërgimin e tyre në një laborator të specializuar.
Tema e mbetjeve që kishin mbetur në det ishte edhe ditën e djeshme pjesë e diskutimeve në Kuvend.
Deputeti Agron Shehaj u shpreh se ndërkohë që vijonin punimet për seancën plenare ku po diskutohej buxheti, anija me mbetje të rrezikshme ende nuk ishte ankoruar në port.
Ai akuzoi se gjysma e qeverisë është e përfshirë në skandalin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa kërkoi transparencë në lidhje me atë që ndodhte.
“Ka 11 ditë që anija me mbi 100 kontejnerë me mbetje toksike ndodhet përballë Portit të Durrësit. Ministri i Brendshëm duhet të japë përgjigje e të thotë çfarë po bëhet. Gjysma e qeverisë është e përfshirë në këtë skandal, prokuroria ka reaguar të premten dhe tha që ju i keni thënë që po mundoheni. Ju nuk e quani të rëndësishme këtë çështje, nuk mendoni se duhet të vihet në dijeni opinioni? Zoti ministër mund të na thoni se çfarë dreqin po bëni?”, u shpreh ai ditën e djeshme.
Ndërkohë ministri Ervin Hoxha,iu përgjigj se po krijoheshin kushtet që kontejnerët të zbriten në një hapësirë publike në Durrës.
“Prokuroria ka bërë një njoftim publik në bashkëpunim me policinë, agjencinë doganore dhe autoritetet portuale. Shumë shpejt kontejnerët do të zbresin në një hapësirë publike por po krijojmë kushtet për një gjë të tillë”, tha ai.
(BalkanWeb)