Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në fjalën e tij në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriu, u shpreh veç të tjerash në buxhetin 2025 për këtë ministri, parashikohen shpenzime për një IVP në Kukës, sistem antidron për burgjet e sigurisë së lartë si dhe ndërtimin e një instituti për të miturit që do të ndërtohet në Tiranë.
Manja deklaroi se IVP që do të ndërtohet në Kukës do të jetë në të mirë të shtetasve të Kosovës, të cilët janë të shumtë në numër, qofshin ata nën hetim apo të dënuar.
Tashmë ata do të munden që të vuajnë dënimin pranë familjeve të tyre, duke pasur parasysh se momentalisht janë të shpërndarë në të gjitha IVP e vendit.
“Fondet janë marrë me Aktin Normativ të nëntorit dhe sot që flasim për paraburgimin e Kukësit, çështje orësh që Drejtoria e Burgjeve do ta hedhë në sistem për t’iu nënshtruar procedurave të prokurimit publik.Shqipëria është tashmë një vend i hapur. Me Kosovën nuk kemi më asgjë të ndarë. Në institucionet tona të paraburgimit dhe dënimit ka një numër të konsiderueshëm shtetas të Kosovës.
Shtetasit e Kosovës me ndërtimin e paraburgimit të Kukësit do të vuajnë dënimin pranë shtëpive të tyre. Momentalisht janë të shpërndarë në të gjithë IVP në vend, por tani do t’u mundësohet vuajtja e dënimit pranë familjeve”, tha ai.
Sa i përket financimin për një sistem anti-dron, ministri deklaroi se një shpenzim i tillë është i domosdoshëm, duke pasur parasysh situatat e krijuara në disa IVP të sigurisë së lartë, siç është edhe ai i raportuar pak kohë më parë në burgun e Peqinit.
“Investimi i dytë madhor është sistemi anti-dron. Ministria e Financave e quajti një kërkesë të domosdoshme dhe financimin e këtij sistemi, për burgjet e sigurisë së lartë. E kemi konsideruar një ndërhyrje të domosdoshme këtë sistem. Sepse edhe dinamikat e ngjarjeve ndryshojnë çdo ditë. Situata që drejtori i përgjithshëm i burgjeve i ka sqaruar”, tha Manja, i cili dha disa detaje edhe në lidhje me Institutin e të miturve që do të ndërtohet në Tiranë.
Manja u shpreh se procedurat tashmë kanë mbaruar, dhe shumë shpejt pritet të nisë ndërtimi i këtij institucioni në Mëzez.
Ministri ceku edhe përmirësimin e sistemit përmbarimor në vend.
“Ne duhet të kemi një sistem të shërbimit përmbarimor qoftë privat, qoftë publik, llogaridhënës. Mendojmë se shumë nga problematikat do të marrin zgjidhje, i jep mundësi Ministrisë së Drejtësisë që të forcojë mekanizmat e kontrollit dhe shërbimit përmbarimor”- u shpreh Manja, ndërsa nënvizoi me tej se në investimet kapitale do të përfshijnë edhe institucionin e Mjekësisë ligjore.
(BalkanWeb)