“Pas një muri ka mure të tjera”, ekspozita e artistit nga Kosova Naim Spahiu, hapi dyert në Galerinë “GOCAT” si një ftesë për të trajtuar peshën e ngjarjeve të së kaluarës dhe nevojën për të parë drejt së ardhmes.

Naim Spahiu vjen për herë të parë me artin e tij në Shqipëri. “Pas një muri ka mure të tjera” u çel më 7 nëntor në Galerinë “GOCAT” për një komunitet të gjerë artistik, për të qëndruar e hapur deri më 30 nëntor. Çelja e ekspozitës vjen qëllimisht në prag të datës së njohur të rënies së Murit të Berlinit, për të ngacmuar dhe për të trajtuar konceptin metaforik të murit, jo si një pengesë, por si një sfidë që duhet tejkaluar.

Foto E Celjes Se Ekspozites
Foto E Celjes Se Ekspozites

Foto nga çelja e Ekspozitës

Cikli i punimeve është mjaft i veçantë dhe i serviret artdashësve në format instalativ pas një hulumtimi 2-vjeçar nga ana e piktorit Spahiu. Ai i ka dhënë identitet materialeve të gjetura nëpër vende të ndryshme, më saktë mbulesave të karrocerive të kamionëve që i kanë rezistuar forcës së viteve, duke i kthyer në telajo. Çdo punë e ekspozuar përçon një emocion ndryshe, por që në thelb të gjitha së bashku trajtojnë raportin e njeriut me kohën, se si kjo e fundit lë vraga me ngjarje siç është lufta e Kosovës, dhe se si ndonjëherë ndodh që të mban të lidhur, e të bën të harrosh se ka një të tashme që duhet jetuar dhe një të ardhme për të cilën duhet menduar. Një element tjetër dallues është se çdo vepër ka diçka për të treguar nga çdo kënd.

Naimi pohon se kjo është e qëllimshme: “Gjurmët e kohës fshihen edhe aty ku ka dritë, edhe aty ku nuk ka. Është një zgjedhje e imja të flas për to përmes rrugës së artit.” Ndërsa për përvojën jetësore, artisti thotë: “Ne vetë si qenie jemi notues. Të jesh i suksesshëm në profesion ose në çfarëdo sfere, duhet të jesh notar i mirë, pa marrë parasysh ballafaqimet jetësore. Çdo individ e shoh si notues në kohë dhe secilin e shoh në drejtimin e tij.”

Naim Spahiu
Naim Spahiu

NAIM SPAHIU

I pranishëm në hapje të ekspozitës, artisti nga Kosova, Driton Hajredini, nuk i kurseu komentet pozitive për ekspozitën e Naimit dhe ndër të tjera, për suksesin e saj, vlerësoi rolin e Galerisë “GOCAT”.
“Ekziston një harmoni e jashtëzakonshme mes hapësirës së galerisë dhe punës së Naimit, për të cilën duhet të them se më ka impresionuar shumë. Vepra është e rëndësishme, nuk ka pikë dyshimi për këtë, por rëndësi ka edhe vendi dhe mënyra se si ekspozohet. Këtu te “GOCAT”, ideja dhe mesazhi parësor që ka dashur të përçojë Naimi, është ruajtur më së miri”, tha Driton Hajredini.

Driton Hajredini
Driton Hajredini

DRITON HAJREDINI

Galeria “GOCAT” është një dhuratë e Fondacionit Mane për banorët, turistët, të apasionuarit pas artit, si dhe për artistët. Ajo është falas si për vizitorët të cilët duan të kalojnë momente cilësore të veshura me art bashkëkohor, ashtu edhe për artistët të cilët duan të promovojnë punën e tyre.

“Pas një muri ka mure të tjera” është ekspozita e tretë që vjen në kryeqytet falas, duke pasuar ekspozitën “Poezi Vizuale mbi Fotografi Sociale” që pasqyroi padrejtësitë shoqërore përmes lenteve të fotografëve të njohur ndërkombëtarë si Paul Lowe, Fabrizio Bellomo, Seamus Murphy & P.J Harvey, dhe të fotografëve shqiptarë si Burim Myftiu dhe Bevis Fusha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb