Leonard Luzi, i cili mban edhe mbiemrat Zejno dhe Sejno u ekstradua sot nga Spanja. 47-vjeçari njihet ndryshe edhe me nofkat “Nard Çami” ose “Daku“.
Luzi rezulton me një rekord të pasur kriminal. Ai u arrestua në Spanjë në kuadër të operacionit “Rekrutuesi”, pas bashkëpunimit mes autoriteteve të dy vendeve, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK, teksa akuzohet si organizatori i atentatit të mbetur në tentativë ndaj Inez Hajrullas i njohur me nofkën “Sakati” dhe Ervis Matodashajn i njohur me nofkën “Qorri”. Atentati i mbetur në tentativë u regjistrua në gushtit të vitit të kaluar.
Mbi Leonard Luzin rëndojnë akuzat për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas hetimeve të SPAK, Leonard Luzi kishte rekrutuar vrasësin me pagesë Amarildo Nikolli alias Xhanej, i njohur me nofkën “Shkodrani” për të vrarë në qytetin e Vlorës, Inez Hajrullan dhe Ervis Matodashajn”.
Për të kryer këtë vrasjet, ata janë ndihmuar edhe nga të bashkëhetuarit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi.
Në dosjen hetimore thuhet se “Shkodrani” do të paguhej 500 mijë euro në total, nga 250 mijë euro për secilin, për të vrarë “Sakatin” dhe Qorrin”.
Atentati i dështuar i 8 gushtit 2023
Leonard Luzi, në 8 gusht 2023, kishte organizuar vrasjen e Matodashajt dhe Hajrullasë, në bashkëpunim me Amarildo Nikollin (Xhanej), Muharem Koroveshin (alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj) dhe Erio Zejnon. Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi Amarildo Nikolli u arrestua para se të kryente vrasjet. Nikollit në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.
Si kanë nisur ngjarjet kriminale
Hetimet kane provuar se atentati në tentativë ndaj shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, është porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit.
Rezulton se në datën 22.03.2013, në qytetin e Vlorës, është vrarë me armë zjarri shtetasi Erigert Zejno. Në lidhje me këtë ngjarje në datën 17.08.2013, u krye arrestimi i shtetasve Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Në datën 21.04.2014, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur pushimin e hetimeve për të hetuarit Ervis Matodashaj etj., për mungesë provash, dhe në datën 04.12.2014, hetimet e këtij procedimi janë pezulluar për zbulimin e autorëve.
I pandehuri Leonard Luzi (Zejno), i dërguar për gjykim, është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejno, vrarë më datë 22.03.2013, në lagjen “11 Janari”, Vlorë.
Hetimet provuan se i pandehuri Leonard Luzi, është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.
(BalkanWeb)