Një zë, një thashethem i lindur kushedi se ku, një lajm që kurrë nuk u konfirmua. Por mjaftoi për të bërë të dridhet për një ditë, regjimin e Gjermanisë Lindore. Dhe i kushtoi qindra të rinjve të shtypur prej diktaturës së Ulbrichtit, një pasdite me goditje, persekutime, madje edhe burg; ndokush mbeti brenda për plot dy vite dhe më pas u dëbua nga vendi. Që atëherë, është e vështirë të thuhet që muzika nuk lëviz malet: një koncert i grupit britanik Rolling Stones, që në vitin 1969 shqetësoi tmerrësisht shumë RDGJ-në, dhe që nuk u mbajt kurrë. Por që i ka dha një goditje të parë Murit.

Në ditën kur Rolling Stones kanë lajmëruar koncertin e tyre në Kubë, Berlini kujton një copëz historie. Në fundin e verës së vitit 1969, në prag të festimeve pompoze mbi 20-vjetorin e Gjermanisë lindore që do të mbaheshin në 7 tetor, njerëzit e Ulbrichtit po përgatiten për marshimet e zakonshme ushtarake, si dhe fjalimet triumfantë dhe gënjeshtarë. Por një zë përhapet me shpejtësinë e dritës mes të rinjve të Berlinit lindor. Ditën e përvjetorit, Rolling Stonez do të zhvillonin një koncert pranë Murit, në anën perëndimore, por në çatinë e ndërtesës së Axel Spinger – botuesi i “Bild”. Këngët e grupit më të famshëm rrok në botë do të dëgjohen disa kilometra përtej Murit, atje ku muzika pop perëndimore është e ndaluar, disqet e Rolling Stones dhe Beatles futen kontrabandë dhe ku të lësh flokë të gjatë dhe të dëgjosh rrok është një shenjë mosbindjeje.

Img 0319
Img 0319

Fatkeqësisht, ndërkohë që thashethemi përhapet edhe jashtë kryeqytetit, dhe shumë të rinj e të renja përgatisin çantat e shpinës për të shkuar në Berlin, lajmi i rremë mbërrin edhe tek agjentët e njërit prej shërbimeve të fshehtë më paranojakë të Paktit të Varshavës, Stasi-t. Një muaj më herët, një i ri nga Dessau shkruante në trotuar: ‘Fansa të Rolling Stones, vraponi drejt Ber…”. Por nuk arriti ta përfundontre frazën. Disa kalimtarë e trembën, ai largohet me shpejtësi, por një spiun e ka regjistruar lajmin dhe ia përcjell shërbimit. Dy javë më vonë, në lagjen berlineze të Prenzlauer Berg, dalin fletëpalosjet e para: “Rolling Stones do të vijnë në Berlinin Perëndimor”. Janë vetëm zëra, por shërbimi i fshehtë i merr seriozisht.

Dhe kështu Stasi përgatit kundërsulmin. Dalin urdhëra që sot të bëjnë të qeshësh, por që atëherë tingëllonin si dënim. “Të rinj me pamje dekadente”, thuhet në urdhër, duhet të pengohen me çdo kusht që të mso shkojnë në Berlin. Të rinjtë e parë me flokë të gjatë, apo me xhaketë lëkure, apo edhe thjeshtë me një palë xhinse, ndalohen nga policia. Disave u jepet “Berlin-Verbot”, ndalimi për të shkuar në kryeqytet, të tjerëve u merret pasaporta, dhe ju zëvendësohet me famëkeqin “PM12”, një dokument që e etiketon si kundërshtar, dhe që i jep çdo polici të drejtën ta ndalojë dhe marrë në pyetje pa arsye.

Në 7 tetor, aparati histerik i sigurisë shtrëngon më shumë: 238 të rinj ndalohen në stacionin e Berlinit dhe kthehen mbrapsht në shtëpi, ndërsa forcohen shumë kontrollet përreth zonës së supozuar të koncertit. E megjithatë, shumë të rinj arrijnë gjithësesi në Leipziger Strasse, disa dhjetëra metra larg nga qiellgërvishtësi Springer. Disa arrestohen aty, por duke nisur nga ora dy e pasdites, pranë murit nisin të shfaqen qindra të rinj. Duken të pandalshëm, janë të lumtur, u kanë shpëtuar gjithë kontrolleve. Janë pacifistë, kanë ardhur deri aty për të dëgjuar Rolling Stones, por pengesat dhe dhuna e regjimit, dalëngadalë i ashpërsojnë. Vopos-ët, policët e kufirit nisin t’i sulmojnë brutallisht, u ndërsejnë qentë. Turma sprapset por nuk heq dorë.

Fansat nisin të thërrasin “Rolling Stones”, “Dubcek, Dubcek”, emrin e reformatorit çekosllovak, një simbol i lirisë. Policia i hipën në kamionë, vazhdon t’i rrahë. Në fund, 430 do të arrestohen, disa do të mbeten në burg për vite. Por ndërkohë, revolta poshtë Murit prish festën e 20-vjetorit të RDGj-së. Ndërsa bota nuk do ta harrojë asnjëherë koncertin imagjinar të Rolling Stones. /Bota.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb