Ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare, ish-kryebashkiaku i Selanikut, Janis Butaris (Yiannis Boutaris).
Kryeredaktorja e News24 Anila Jole, e cila ka jetuar për disa vite në Selanik dhe ka pasur rastin të njohë punën e tij shkruan se Butaris ishte një kryebashkiak që la gjurmë në Selanik me punën e tij dhe një nga të paktët zyrtarë grekë, që bënte ç’është e mundur për të ndërtuar ura më të forta mes grekëve dhe shqiptarëve. Ai iu thoshte shqiptarëve: “Ju tashmë nuk jeni emigrantë, ju jeni banorë me të drejta të plota të Selanikut”.
“Vetëm gjatë pak viteve që jetova në Selanik i pashë nga afër përpjekjet e tij për këtë qëllim, si p.sh. vendosjen e një pllake në një park të Selanikut, me emrin “Durrësi-Shqipëria”, në një atmosferë të ndezur nga ekstremizmi grek. Në ceremoninë e vendosjes së saj, forcat speciale u përleshën me ekstremistët e Agimit të Artë, që e kundërshtonin këtë veprim e që asokohe kishte shumë fuqi. Por Butaris, as nuk u tremb as nuk u tërhoq”, shkruan Jole në FB.
“Janis Butaris ishte një njeri shumë i mirë, popullor e i thjeshtë dhe patjetër largimi i tij nga kjo jetë i bën shumë dëm politikës greke, që ka shumë nevojë për modele si ai. Respekt e mirënjohje për një njeri si Janis Butaris!”, përfundon postimin e saj Jole.