Nuk ka fitues në derbin londinez mes Chelsea dhe Arsenal të zhvilluar të dielën në Stamford Bridge. Arsenal që nuk përfitoi nga ndalesa e Cityt këtë fundjavë dhe që i largohet në – 9 kreut që mbahet për momentin nga Liverpool. Pjesa e dytë dhuroi edhe emocionet më të mëdha me të besuarit e Artetës që kaluan në avantazh pas 15 mintash lojë me brazilianin Martinelli. Por reagimi i “bluve” ishte i menjëhershëm, teksa pas 10 minutash Pedro Neto me një goditje potente jashtë zone vendos barazpeshën.
“Neto bën Gunners të heshtin”, “Koha për t’u lutur” apo “Makthi i Artetës” ishin disa prej titujve kryesore, me të cilat dolën sot tabloidët britanikë, të cilët e komentojnë këtë barazim në derbi, si një tjetër mundësi të humbur për Arsenalin për t’iu afruar kreut.
Ndërkohë Rud Van Nisterloy e mbyll aventurën e tij, në krye të stolit të Manchester United, ashtu siç e nisi me fitore. Djajtë e kuq mposhtën me lehtësi Leicester 3-0. Bruno Fernandez, autogol i Kristiansen dhe Garnacho ishin autorët e golave për United, të cilët duke nisur nga kjo javë do të kenë në stol të ulur portugezin Ruben Amorim. Gjithsesi United mbetet ende shumë larg pretendimeve këtë sezon, teksa e shef veten në vendin e 13, me 15 pikë.
Zhgënjen ndërkohë Tottenham Hotspur. Skuadra e gjelave londinezë u mund në mënyrë surprizuese nga Ispwich 1-2 në shtëpi. Smodics dhe Delap ishin autorët e golave për miqtë në pjesën e parë. Ndërkohë që Bentacour në të 69 vetëm sa rihapi garën, por vendasit nuk i’a dolën të evitonin humbjen, kjo falë edhe një paraqitje shumë të mirë të portierit të Ipswich e njëkohësisht të kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriç. Me këtë humbje Tottenham mbetet në vendin e 10 me 16 pikë.