Kremlini ka mohuar të ketë patur telefonatë mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Në raportimet e Washington Post dhe Reuters thuhej se presidenti i zgjedhur i SHBA i kërkoi presidentit rus të mos përshkallëzojë luftën në Ukrainë dhe i kujtoi atij praninë e konsiderueshme ushtarake të Amerikës në Europë. Sipas raportimeve, telefonata kishte ndodhur ditën e enjte, dy ditë pas zgjedhjeve.

Por orët e fundit Kremlini e ka mohuar për Reuters një gjë të tillë dhe zëdhënësi Dmitry Peskov tha se “Putin nuk ka plane specifike për të biseduar me Trump për momentin”. Telefonatën e supozuar ai e konsideroi trillim të pastër dhe lajm të rremë.

“Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ky është trillim i pastër, është thjesht informacion i rremë”, tha Peskov. “Nuk ka patur asnjë bisedë. Ky është shembulli më i dukshëm i cilësisë së informacionit që po publikohet tani, ndonjëherë edhe në botime mjaft me reputacion”, ka thënë Peskov.

Të premten, Kremlini raportoi se ishte i gatshëm të diskutonte për Ukrainën me Trump, por kjo nuk do të thotë se ai ishte i gatshëm të ndryshonte kërkesat e Moskës – domethënë që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe të dorëzojë katër territoret aktualisht të pushtuara nga Rusia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb