Biznesmeni Ilir Rrapaj dëshmon në Komisionin Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi. Rrapaj, i cili ndodhet pas hekurave dëshmon si përfitues i koncesionit 100 mln euro. Ai u arrestua nga SPAK në gusht 2023.

Vokshi: Cili është profesioni juaj?
Rrapaj: Sipërmarrës.
Vokshi: Çfarë shkolle keni mbaruar.
Rrapaj: Vij si student i shkollës mjekësore Jani Minga në Vlorë, më pas në fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Më pas kam emigruar në Itali dhe jam munduar të kem akses në formimin tim të mëtejshëm, por ishte i pamundur. U mundova të mos i qëndroja larg këtij sektori.
Vokshi: Jeni diplomuar në Shqipëri?
Rrapaj: E kam lënë në vitin e katërt. Kam pas një sipërmarrje dhe jam munduar të jem pranë shoqatave që merren me shëndetësinë.
Vokshi: Çfarë veprimtarie ka pasur sipërmarrja juaj? Do doja të ishit konkret që të ecnim?
Rrapaj: Deri në 2009 kam pasur një aktivitet imobiliar dhe ndërtimor.

Vokshi: Këtë kompaninë e kishit vetëm apo me ortak?
Rrapaj: Ortak i vetëm.
Vokshi: Me çfarë kapitali e keni krijuar?
Rrapaj: Nuk më kujtohet, por brenda respektimit të rregullave.
Vokshi: Në çfarë viti e keni hapur?
Rrapaj: Në vitin 2000 besoj. Kapitalin nuk e mbaj mend, por brenda rregullave të shtetit italian. Nuk më kujtohet sepse nuk përbënte problem për ushtrimin e aktivitetit.
Vokshi: Është e rëndësishme të kuptojmë me çfarë jeni marrë deri në momentin që vendosët të hynit në procedurën e koncesionit të sterilizimit. Sa punonjës keni pasur?
Rrapaj: Ka pasur oshilacione. Ka filluar me një numër 1 apo 2 dhe ka kaluar deri në 30 persona të punësuar nga kompania. Ashtu sikurse të gjithë ata që punojnë, e bëjnë të mundur të kenë dhe suportin e të nënkontratuarve të tjerë. Në historinë e viteve ka pasur një numër të madh bashkëpunëtorësh të jashtëm.
Vokshi: Sa ka qenë xhiroja vjetore dhe fitimi?
Rrapaj: Ka qenë e ndryshme në varësi të merkatos. Ka qenë variabël. Ka pasur vite me 100 mijë euro dhe ka pasur vite dhe me 1-2 mln euro, në varësi të kontratave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb