“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të derbit të së shtunës, Dinamo-Partizani, e luajtur mbi 45 kilometra tutje Tiranës, në “Elbasan Arena”.
Përtej asaj çka ndodhi gjatë ndeshjes, është për të ardhur keq që në derbin e dy prej skuadrave më të mëdha shqiptare, të jenë të pranishëm në stadium jo më shumë se 550 spektatorë. Mungesa e interesit, shto këtu edhe faktin që luhej në Elbasan na sjellin të tilla rekorde injoruese ndaj Superiores.
* Dy autobusët me ekipet përkatëse hyjnë në të njëjtën kohë në Elbasan. Dinamovitët ishin 100 metra para atij të Partizanit, ndërsa të dy mjetet shoqëroheshin deri në stadium nga një makinë policie.
* Tifozët e të dyja skuadrave qëndruan bashkë në stadium, përveç një pjese e të kuqve, që ishin në sektorin e veçantë për miqtë, ku qëndrojnë zakonisht ultrasit.
* Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, vjen me vonesë në stadium, kur kishin kaluar 10 minuta lojë. Mesa duket presidenti i kuq ka rënë “pre” e trafikut në hyrje të Elbasanit, çka është bërë problem për të gjithë udhëtarët e asaj zone.
* Tek një rast i minutës së 14-të për dinamovitët, anësori pasi lë fillimisht aksionin ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Hamiti “injoron” Tartarajn dhe lejon vijim e lojës, sepse e shihte akoma aksionin të rrezikshëm dhe vetëm pasi largohet rreziku nga porta e kuqe, akordon pozicionin jashtë loje.
* Në një moment gjatë ndeshjes, sulmuesi i Partizanit, Kristian Mba, u inkuadrua nga kamerat duke nxjerrë gjuhën në momentin e zhvillimit në një goditje dënimi nga Rrapaj. Në fund u dallua se ai veprim ishte “i koduar” për një skemë, pasi krosi i Rrapajt përfundoi te nigeriani.
* Mandela “tërbon” Bregun në minutën e 19-të, kur pas një kundërsulmi të shpejtë godet nga mesi i fushës për të zënë në befasi portierin. Bregu i kërkon llogari dhe Mandela i kërkon falje.
* Edhe tifo-grupin ultras “Guerrils” e zë trafiku rrugës dhe mbërrijnë në minutën e 20-ë në stadium.
*Në fundin e pjesës së parë, Gazment Demi, ndërron xhupin që mbante veshur. Temperaturat u ulën ndjeshëm dhe presidenti i kuq veshi një xhup më të trashë për të përballuar të ftohtin. Kujtojmë se para pak javësh ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
* Pas një ndërhyrjeje në minutën e 70-të ndaj Tolit pranë zonës së kuqe, ky i fundit dëmtohet, por gjyqtari vazhdon lojën. Kapiteni Dita, pasi sheh dëmtimin e Tolit, i kërkon gjyqtarit ta shohë në VAR për një karton të kuq, sepse pretendon se goditja ka qenë e rrezikshme, por nuk merret parasysh nga Hamiti.
* Presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi, u pa shumë i mërzitur në fundin e ndeshjes, ku nuk ngurroi të ankohej edhe për arbitrin, pasi mesa duket ka pasur ndonjë rast që presidenti i bluve nuk e ka kapërdirë dot. Duhet thënë se ai e la stadiumin që në minutën e 88-të, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët dhe njerëzit e tij të afërm.
* Andi Janjeva dhe Albers Keko qëndruan për afro dy minuta në pritje për të hyrë në fushën e lojës në fundin e sfidës. Mirëpo, nuk po ndalej loja për t’u kryer zëvendësimi, me lojtarët, që nuk arritën të hynin dot në fushë, sepse arbitri mbylli ndeshjen.