Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari zbardhi detaje nga protesta e paralajmëruar nga kryedemokrati Sali Berisha ditën kur do të diskutohet projektbuxheti i shtetit për vitin e ardhshëm.

Në studion e News24, Muçollari tha buxheti 2025 nuk reflekton nevojat e qytetarëve. Ai shtoi se qeveria i ka kanalizuar pjesën më të madhe të fondeve të buxhetit në ato sektorë ku sipas tij vidhet më lehtë.

“Protesta do të jetë para Parlamentit, detajet fiks do të jenë ccështje diskutimi ditët në vijim. Qëllimi i protestës është kundërshtimi për mënyrën si është ndërtuar ky buxhet dhe mënyrën si funkionon sepse përtej diskutimeve teorike dhe rëndësisë e prioriteteve që duhet të ketë buxheti, ky buxhet nuk reflekton fare nevojat e njerëzve. Ne jemi në një tjetër diskutim sot, jemi në diskutimin që buxheti vidhet në pjesën dërrmuese. Kur ti e projekton vjedhjen dhe e kanalizon pikërisht shumën më të madhe të buxhetit në sektorët që i ke më të kollajtë që shkojnë në fund fare në korrupsion dhe vjedhje. Kjo është një arsye shumë e mirë për të protestuar. Pa diskutim, mospërballja e realitetit të qeverisë, mënyrës si funksionon qeveria me realitetin, me nevojat e njerëzve, kjo është një arsye më shumë për të protestuar”, u shpreh ai.

Sa i takon formës që do të ndiqet në këtë protestë, Muçollari tha se opozita nuk i ka ezauruar format e mosbindjes civile. “Ka mënyra që vazhdojnë të përdoren, por protesta del edhe jashtë planifikimeve që ke vendosur, njerëzit e marrin në dorë sepse ka shumë revoltë në popull”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb