Në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24 është diskutuar jo vetëm fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, por edhe rënia e qeverisë në Gjermani.
Ish-ambasadori Jorgji Kote tha se kemi një gjendje të vajtueshme për vendin më të madh të BE-së, Gjermani.
Kote tha se pas largimit nga koalicioni i liberalëve, praktikisht qeveria ka rënë dhe pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme.
“I gjithë debati bëhet se kur do të votëbesohet qeveria gjermane, pasi shifrat nuk i kanë. Kancelari Scholz duhej të shtynte vendimin për largimin e ministrit të Financave. Por pas paraqitjes së një seri propozimesh, Scholz vendosi të largojë ministrin dhe praktikisht FDP u largua nga koalicioni”, tha Kote.
Ai tha se opozita gjermane ka kërkuar që në 15 nëntor të bëhet votëbesimi, në mënyrë që zgjedhjet të bëhen në janar, por Scholz ka kërkuar që votëbesimi të bëhet në janar.
“Sot kanë dalë edhe dy deputetë nga partia e kancelarit që kërkojnë që zgjedhjet të bëhen në janar. SPD gjermane ka 14 % dhe rrezikon të jetë partia e 3 ose e 4 në rast se kjo parti shkon në zgjedhje me Scholz.
CDU e Merz, sipas sondazheve renditet si partia e parë, ndërsa si parti e dytë renditet AfD. Në SPD ka nisur një kryengritje kundër Scholz, ndërsa kërkohet që drejtimin ta marrë ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius”, tha Kote.
Ai tha se Scholz po sillet si Joe Biden që u tërhoq në momentet e fundit nga gara. “Scholz kërkon që të miratojë disa ligje, duke pretenduar se duke kaluar disa ligje të rëndësishme dhe buxhetin, do të rrisë peshën elektorale. Por opozita insiston që votëbesimi të bëhet tani, nuk duan të humbasin këtë shans”, tha Kote.