Ndërsa administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Donald Trump ka nisur të marrë formë, pikëpyetjet që po ngrihen janë se si do t’i zbatojë ai premtimet e fushatës, apo nëse do të synojë të ndëshkojë kundërshtarët e tij politikë. Nga ana tjetër, demokratët po reflektojnë lidhur me humbjen e tyre në garën për Shtëpinë e Bardhë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias jep më tepër informacione.
Pas fitores në zgjedhje e gjithë vëmendja tashmë është përqendruar tek Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump dhe tek mënyra se si ai do të qeverisë. Mbështetësit e tij thonë se edhe amerikanët që nuk votuan për ish-presidentin do të shohin përmirësim të jetës së tyre.
“Mendoj se shumë njerëz, edhe ata që kanë besuar disa pretendime të rreme për Donald Trumpin do të befasohen për të mirë kur të shohin se do të paguajnë më pak taksa. Çmimet do të ulen dhe kufiri do të jetë i sigurt”, thotë ish-kandidati republikan për President, Vivek Ramasëamy.
Me zgjedhjen e Susie Ëiles si shefe të kabinetit të zotit Trump, administrata e presidentit të zgjedhur tashmë po merr formë. Në fundjavë zoti Trump sqaroi në platformën e tij të mediave sociale “Truth”, se ish-ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley dhe ish-sekretari i Shtetit Mike Pompeo, nuk do të marrin pozitë në kabinetin e ri të tij. Ndërkohë janë ngritur pikëpyetje nëse zoti Trump do t’u qëndrojë disa deklaratave që bëri gjatë fushatës për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe atyre që kanë ngritur padi kundër tij.
“Do t’u tregoj atë që Donald Trumpi e ka thënë shpesh; hakmarrja jonë do të jetë suksesi, e suksesi do të jetë hakmarrja jonë”, thotë zoti Ramasëamy. Për ata që mbështetën kandidaten demokrate Kamala Harris, kjo është një kohë reflektimi.“Klasa punëtore e këtij vendi është e zemëruar dhe jo pa arsye. Falë ekonomisë sot, ata që janë të pasur po jetojnë jashtëzakonisht mirë, ndërsa 60% e popullatës mezi ia dalin të mbyllin muajin”, tha për rrjetin CNN senatori i pavarur Bernie Sanders. Ndërsa vlerësoi arritjet e administratës së Presidentit Biden, senatori Sanders tha se ka ende shumë punë për të bërë.
“Ne kemi nevojë për një plan që i thotë klasës punëtore se do të krijojmë një ekonomi dhe një qeveri që punon për ju. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse nuk hiqni donatorët e mëdhenj, ata me shumë para nga politika”, tha senatori Sanders. Presidenti Joe Biden ka premtuar se do të ketë një transferim paqësor të pushtetit më 20 janar. Zoti Biden i telefonoi Presidentit të zgjedhur Trump për ta uruar pas fitores së tij në zgjedhje. Të dy do të takohen të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë./Voa/