Në rrugët “Enver Topalli,” “Halim Spahija,” dhe “Ejup Statovci” në Ferizaj, një burrë ka therur me thikë katër kalimtarë të rastit në rrethana ende të paqarta.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmoi ngjarjen dhe veprimet e ndërmarra për kapjen e të dyshuarit. Viktimat janë dy femra nën moshën 18 vjeç dhe dy meshkuj të moshave 29-32 vjeç.
Të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente të Ferizajt, ku më pas dy prej tyre janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ndërsa dy të tjerë po trajtohen ende në Ferizaj.
“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë Njësinë e Reagimit të Shpejtë, kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intensive të kërkimit, rreth orës 16:40 arritën që në rrugën ‘Riza Matoshi,’ në afërsi të qendrës tregtare ‘Plus Market,’ të arrestojnë të dyshuarin E.S., rreth 59 vjeçar,” deklaroi Veseli.
Ai shtoi se i dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj nën masa të sigurisë, shkruajnë mediet e Kosovës.
Veseli gjithashtu konfirmoi se hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë duke analizuar vendet e incidentit dhe kanë gjetur një mjet të mprehtë, që besohet të jetë përdorur gjatë sulmit.