Po mbahet mbledhja e komisionit hetimor parlamentar të sterilizimit, ku i pari për të dëshmuar është ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili la pak më parë qelinë dhe u paraqit në Kryesinë e Kuvendit.
Në nisje të mbledhjes, kryetarja Albana Vokshi ka kërkuar shtyrjen e afateve të mandatit të komisionit, propozim i cili nuk u mbështet menjëherë nga ana e anëtarëve të mazhorancës, ku në kryetari i komisionit Plarent Ndreca tha se diçka e tillë mund të diskutohet edhe më vonë, por duhet të vijojë fillimisht puna për të intervistuar ish-ministri Beqaj si një nga dëshmitarët kyç të objektit të këtij komisioni.
Pjesë nga diskutimi:
Edmond Spaho: Ky është komision hetimor që e kemi kërkuar ne dhe ju nuk mund të na imponoheni me dëshmitarët duke përcaktuar se ky duhet thirrur dhe ky jo.
Kjo sepse pas kësaj nuk ka kuptim hetimi. Ju përcaktoni dhe rezultatin sa kohë caktoni dëshmitarët. Por nuk është kjo rruga. Kur është menduar që të krijohen komisione hetimore është menduar të hetohet në thellësi dhe plotësi, dhe kjo është përgjegjësi e kërkuesit të komisionit. Roli i mazhorancës në komision është të mbajë minorancën brenda shinave të ligjit. Kushtetuesja ju tha që kërkuesi i komisionit ka të drejtë të thërrasë çdo dëshmitar. Nuk duhet thirrur Vilma Nushi si dëshmitare, pse nuk doni të vijë këtu apo ka status special.
Thoni publikisht që edhe kryeministri nuk dëshiron të vijë në komision dhe nuk do t’i dijë për përgjegjësinë për 200 e ca mln euro që ka për qytetarët. Nuk mendoj se puna e komisionit duhet të mbyllet pa u marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët që kemi kërkuar që në fillim.
Ilir Metaj: Harxhuam 2 orë kohë dje për të vonuar rendin e ditës dhe mesa duket këtë skenar keni edhe sot. Keni kërkuar shtyrjen për të disatën herë. Mbase keni vendosur të zgjasni komisionin edhe që të harroni për çfarë jeni mbledhur. Mbase doni të jeni këtu edhe në mandatin e 10 në opozitë. Nuk kemi faj ne që kohën për punë ju e konsumoni duke djegur karrige.
Vokshi: Deklaratat politike bëji në Surrel. Fol për procedurë, për mandatet shko te PS apo në Surrel. Futu direkt në rolin që të kanë dhënë, aman
Metaj: Thuaj edhe një herë aman, do e thuash edhe një herë? Nëse doni leksione si fitohen zgjedhjet dhe si ndërtohet një shtet, mbase gjen kohë në axhendë të planifikojë një seminar workshop me ju. Të mos humbim kohë e të kalojmë në rendin e ditës.
Korreshi: Dua ca leksione si ta kemi krimin e organizuar nga Rama, si vidhen kaq lekë nga buxheti i shtetit, si rrihet duke ngrënë dardha pas ose të thotë jam frikacak e nuk ma mban prapanica të vi në komision.