Real Madrid nuk po kalon një periudhë të mirë këtë sezon. Skuadra madrilene po vuan vazhdimësinë e rezultateve pozitive, teksa në La Liga e sheh veten larg kryesueseve të Barcelonës me 9 pikë, ndërsa edhe në Champions, të besuarit e Ancelottit kanë humbur 2 nga 4 ndeshjet e fundit, duke qenë për momentin larg skuadrës së një sezoni më parë. Edhe tekniku Ancelotti duket se është në rrezik për të vazhduar për të qenë në krye të mbretërorëve, nëse skuadra e tij nuk do të ndryshojë performancë në vazhdim.
Gjithsesi drejtuesit madrilenë duket se e kanë gati projektin e ri duke nisur nga sesioni i ardhshëm i merkatos verore, për të rifreskuar skuadrëm me lojtarë të rinj. E përditshmja spanjolle AS, ditën e sotme ka publikuar lajmin se Fiorentino Perez dhe stafi i tij kanë gati 4 blerjet e ardhshme për skuadrën madrilene.
I pari është Davis, me lojtarin e Bayernit që pas 2 sezonesh i skadon kontrata me bavarezët, ndaj nëse klubi gjerman dhe kanadezi nuk do të gjejnë gjuhën e përbashkët për rinovimin, atëherë skuadra bavareze do të ishte e para e interesuar për ta shitur anësorin e saj.
Në krahun e djathtë të mbrojtjes nuk është tashmë lajm i ri, fakti që prej muajsh Reali kërkon Trent Alexandër Arnold. Për anglezin e Liverpool ky do të jetë me shumë gjasa viti i tij i fundit në Anfield, ndaj ai do ta mirëpriste një transferim në kryeqytetin spanjoll.
Në fund dyshja Jonathan Tah dhe Wirtz. Dyshja e kampionëve të Bayer Leverkusen janë në krye të listës së dëshirave për kampionët në fuqi të Evropës. Nëse për Tah situata duket shumë më e thjeshtë e gjitha mësymja e madrilenëve do të jetë për “yllin” gjerman Wirtz. Ai ishte lideri i skuadrës së “Aspirinave” të Xabi Alonsos vitin e shkuar, ndaj do të jetë shumë e vështirë, që klubi mbretëror t’ia largojë gjermanëve, aq më tepër kur për të klauzola e largimit thuhet se shkon në vlerën 130 milionë euro.