Koreja e Veriut ka ratifikuar një marrëveshje historike të mbrojtjes me Rusinë, duke vulosur afrimin e tyre në luftën e Moskës në Ukrainë, njoftoi sot agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA.
Marrëveshja është “ratifikuar në formën e një dekreti” të nënshkruar nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un dje, të hënën, tha KCNA.
Presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu nënshkroi traktatin e mbrojtjes reciproke, tha Kremlini në një deklaratë gjatë fundjavës.
Ky traktat midis dy vendeve, i cili u përfundua gjatë vizitës së rrallë të Putinit në Phenian në qershor, kryesisht parashikon “ndihmë të menjëhershme ushtarake” të ndërsjellë në rast se njëra prej tyre sulmohet.
Sipas Kievit, rreth 11,000 trupa të Koresë së Veriut janë vendosur tashmë në Rusi dhe kanë filluar luftimet kundër ukrainasve në territorin rus të rajonit të Kurskut, një pjesë e vogël e të cilave është kapur nga forcat ukrainase që sulmuan atje në gusht. Kremlini deri më tani i ka shmangur pyetjet në lidhje me praninë e kësaj ndihme të Koresë së Veriut.
Marrëveshja vjen pas muajsh të thellimit të bashkëpunimit të sigurisë midis dy aleatëve gjatë gjithë Luftës së Ftohtë.
“Pheniani dhe Moska do të pretendojnë legjitimitetin e vendosjes së ushtrisë së Koresë së Veriut në Rusi dhe do të deklarojnë se ky veprim justifikohet nga traktati i ratifikuar midis dy palëve.
Sipas ekspertit, ratifikimi i traktatit nga të dyja vendet parashikon “dislokim shtesë dhe potencialisht më të madh” të ushtarëve të Koresë së Veriut në Rusi.
Afrimi i Moskës me Phenianin vjen pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Marrëveshja gjithashtu angazhon të dy vendet të bashkëpunojnë ndërkombëtarisht për të kundërshtuar sanksionet perëndimore dhe për të koordinuar pozicionet e tyre në OKB.
Ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son Hui, udhëtoi së fundmi në Moskë, ku deklaroi se vendi i saj “do të qëndrojë me vendosmëri pranë shokëve rusë deri në ditën e fitores”. Ajo e quajti sulmin rus ndaj Ukrainës një “luftë të shenjtë”.