Në Baku të Azerbajxhanit ku po merr pjesë në takimin e liderve dhe zyrtarëve të 200 shteteve të botës për të ndjekur punimet e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, kryeministri Edi Rama është takuar me Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë zbuloi se ata diskutuan mbi ecurinë e disa projekteve të rëndësishme në Shqipëri që po hyjnë në fazën e zbatimit.

“Një mik i rrallë dhe dashamirës i madh i Shqipërisë, me të cilin folëm për ecurinë e mirë të disa projekteve të rëndësishme që po hyjnë në fazën e zbatimit, nga krijimi i kompanive të përbashkëta publike të prodhimit të energjisë (KESH-Mazdar) dhe shtypshkrimit të letrave me vlerë, linja e interkonjeksionit me Italinë në partneritet tripalësh, e deri tek sistemi i ri digjital i kontrollit të trafikut; zhvillime tejet të rëndësishme për forcimin dhe modernizimin e sektorit publik në Shqipëri”, shkruan kryeministri në llogarinë e tij në Facebook.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb