TIRANË

Debate në Komisionin Hetimor për koncesionin e Sterilizimit teksa pritet të dëshmojë ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Ky i fundit ka kërkuar të bëjë një prezantim me zë dhe figurë për atë që donte të thoshte, që sipas kryetares së komisionit Albana Vokshi bëhej fjalë për power point dhe e hodhi poshtë kërkesën e Beqajt, i cili kishte në krah avokatin e tij Ermal Yzeiraj. Ndërkohë që ka ndërhyrë deputeti i PS Plarent Ndreca, i cili ka kërkuar të lejohet të bëjë prezantimin siç e dëshiron Ilir Beqaj. Vokshi është ndalur te përfaqësuesi ligjor i Beqajt, i cili është njëkohësisht dhe avokati i Ndrecës në çështjen që ka në SPAK.

Vokshi: E keni menduar shumë gabim

Ndreca: Kjo është mungesë etike dhe profesionalizmin.

Vokshi: Është konflikt interesi prania juaj këtu. Avokati i Ilir Beqjas që është dhe avokati që është në çështjet e hapura ku ju jeni nën akuzë.

Ndreca: Do flisni me mua apo jo.

Vokshi: Do ishte e ndershme të largoheshit fare nga mbledhja.

Ndreca: Ja që nuk varet nga ju.

Vokshi: Z. Beqaj nëse ka deklaratë le ta lexojë, këtu nuk lejohet power point. I thoni avokatit tuaj që shembujt ti marrë nga Shqipëria, jo nga Amerika, ku nuk kufizohen dëshmitarët, nuk kufizohen provat.

Ndreca: Ti nuk flet dot në emër të komisionit, shumica është këtej.  Po bën batuta, pa thelb. Kërkesa vjen nga z.Beqaj dhe avokati i tij.

Vokshi: Avokati i tij dhe juaji.

Ndreca: Znj. kryetare nuk më impresiononi dot.

Vokshi: As ju nuk më impresiononi. Nuk ma shpjegoni dot ligjin. Beqaj ka deklaratë le ta lexojë, siç kanë bërë të gjithë në komisionet parlamentare.

Ndreca: Heqja e të drejtës për të folur është shkelje e ligjit dhe Kushtetutës.

Vokshi: Ju dashnorët e Kushtetutës, Kushtetuta nuk kufizon marrjen e provave dhe ju po e shkelni. Shkoni te Surreli dhe dëgjojeni. Këtu ka ardhur t’u përgjigjet pyetjeve të mia dhe deputetëve.

Ndreca: Kush je ti?

Vokshi: Po ti kush je? Z.Arben Ahmetaj nuk iu lejua.

Ndreca: Ne vendosim.

Vokshi: S’ka vendim këtu. Z. Beqaj do ta bëni atë deklaratën vazhdoni se power point nuk vihet.

Ndreca: Fjalën do t’ia përcaktosh ti.

Vokshi: Nuk është konferencë, është këtu për t’iu përgjigjur pyetjeve. Është komision hetimor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb