Humbja 1-2 me Partizanin nuk është përjetuar si dramë te Dinamo.
Blutë ndalën serinë prej 10 rezultatesh pozitive radhazi dhe pësuan humbjen e parë me Ilir Dajën në stol, megjithatë ka edhe aspekte pozitive nga ndeshja e luajtur në “Elbasan Arena”. Trajneri Daja vlerësoi karakterin e të tijve, duke theksuar se nuk u dorëzuan deri në sekondën e fundit.
Po ashtu, niveli i lojës së Dinamos në atë derbi ishte i kënaqshëm, me disa raste të mira për shënim në zonën e Partizanit, që nuk u shfrytëzuan. Pikërisht për këtë fakt pati një lloj mërzitjeje në kampin blu, drejtuesit e klubit, stafin teknik dhe futbollistët. Por askush nuk e ka parë atë humbje si dramë, sepse loja ka ngrohur sërish, ashtu si me Elbasanin, ku rezultati ishte krejtësisht ndryshe.
Dramë nuk ka pas derbit edhe për faktin se Dinamo vazhdon të jetë në 4- shen e parë të renditjes, me pikë të barabarta me Egnatian dhe 4 pikë larg vendit të parë. Gjatë periudhës dyjavore të ndërprerjes së kampionatit fokusi do të jetë tek eliminimi i disa defekteve që skuadra shfaqi ndaj Partizanit dhe në ndeshje të tjera, kryesisht në mesfushë.
SITUATA – Kryeqytetasit janë lënë pushim dy ditë nga trajneri Ilir Daja dhe sot do t’i rikthehen fushës së stërvitjes. Deri në ndeshjen me Skënderbeun ka shumë kohë dhe kjo javë më së shumti do të shërbejë për rikuperimin e energjive. Dinamon ndërkohë vazhdon ta ndjekë “mallkimi” i qendërmbrojtësve, pasi së fundi është dëmtuar edhe Agron Rufati. Para ndeshjes me Partizanin, lojtari i ardhur në fundin e merkatos së verës ka pësuar një dëmtim në thembër, prandaj dhe nuk ishte i grumbulluar për sfidën me të kuqtë.
Ai u bashkohet në infermieri dy qendërmbrojtësve të tjerë, Rustem Hoxhës dhe Mateo Muzek, të dëmtuar javë më parë. Kjo situatë e ka bërë trajnerin Daja që të luajë me Ditën dhe Alijin në qendër të mbrojtjes, të dy lojtarë me eksperiencë, por me role të tjera natyrale. Në dispozicion ai ka për momentin vetëm një qendërmbrojtës, Antonio Miçon, por shpresohet që të paktën njëri nga lojtarët e dëmtuar të këtij sektori të jetë rikuperuar deri në transfertën e Korçës.