VLORË

Pas 6 muajsh finalizohet operacioni policor i koduar “Labirinti”, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në DPPSH dhe DVP Fier, arrestohen 11 persona dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shitnin doza të drogave të forta dhe kanabisi, në Vlorë dhe në Fier.

Gjithashtu, gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë 1 shtetas që posedonte doza kanabisi.

Si rezultat i një hetimi të nisur në muajin maj të këtij viti, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, u finalizua, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në DPPSH dhe me DVP Fier, operacioni policor i koduar “Labirinti”. Në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Vlorës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit:

-F. O., 34 vjeç, J. B., 25 vjeç, D. Gj., 24 vjeç, A. O., 32 vjeç, E. Sh., 42 vjeç, I. H., 29 vjeç, të gjithë banues në Fier, N. H., 33 vjeç, banues në Tepelenë dhe K. Xh., banues në Tiranë;

-si dhe për shtetasit E. K., 18 vjeç, E. K., 21 vjeç, vëllezër të cilët aktualisht vuajnë dënimin në IEVP për veprën penale “Vrasja” dhe A. H., 54 vjeç, i cili vuan dënimin në IEVP për veprën penale “Mashtrimi”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 shtetas.
Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë 1 shtetas i mitur 17-vjeçar, pasi posedonte doza kanabisi, në banesë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shitnin doza të drogave të forta dhe kanabisi, në Vlorë dhe në Fier.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: