Tirana merr më në fund “frymë”, por statistikat e saj vazhdojnë të frikësojnë për paraqitjen e saj në javët në vazhdim.
Skuadra bardheblu, e cila deri të shtunën, ishte e vetmja me një fitore këtë kampionat, më në fund del nga “makthi”. Arrin të fitojë, me jo pak sakrifica. Së pari, sepse ka ndërruar trajnerin e mëparshëm Bledi Shkëmbi dhe ka emëruar një tjetër, siç është Gugash Magani, duke investuar para të tjera. Nga ana tjetër, kjo fitore e ardhur ditën e diel me rezultatin 4-0 ndaj Bylisit ka plot të veçanta. Tirana kishte 43 ditë që nuk fitonte një ndeshje në Kategorinë Superiore. Fitorja e fundit shënohej në 29 shtator 2024 kundër Skënderbeut në “Air Albania” dhe më pas humbje dhe barazime.
SHTERPËSIA – Fakt i pakundërshtueshëm është që Tirana kishte rreth një vit, që nuk fitonte një takim me 4 gola. Një triumf kaq i thellë është shënuar shumë larg në kohë, pikërisht ndaj Egnatias në 24 dhjetor 2023. Në të gjithë sfidat e tjera, skuadra bardheblu nuk ka shënuar më shumë se tre gola të shënuar.
E veçanta në këtë situatë është fakti, se Tirana pas triumfit me Egnatian ka luajtur 31 ndeshje të tjera në kampionat. Gjithsesi, nga këto 31 takime, Tirana ka fituar në tetë prej tyre, ka humbur nëntë përballje si dhe 14 sfida të tjera janë mbyllur në barazpeshë. Duket qartë se ekipi nuk ka ndonjë paraqitje të veçantë. Me vetëm 38 pikë, bardheblutë janë të shtatët nga tetë ekipet që në këtë 2024-ër ka luajtur çdo takim në Superiore.
Poshtë kryeqytetasve është vetëm Laçi me një pikë më pak. Po kështu, Tirana këtë 2024 nuk ka arritur të fitojë asnjë nga derbet në kampionat kundër Partizanit. Kontrastet brenda një sezoni janë shumë të mëdha. Bardheblutë, në 2024- ën, së bashku me Partizanin janë skuadrat me më shumë gola të shënuar 44, në 31 ndeshje të luajtura. Gjithsesi, ekipi i Maganit është në fund të listës për golat e pësuar, me plot 41. Më keq se Tirana kanë bërë, Erzeni e Kukësi që në 18 javë kanë pësuar mbi 30 gola.
KRAHASIMI – Në sezonin e shkuar, skuadra bardheblu ishte si nata me ditën me skuadrën e këtij viti në të njëjtin moment të kampionatit. Dhe të thuash se ekipi i vjetëm nuk shkoi dot në katërshe. Kështu, në fund të javës së 13- të, skuadra e vjetshme kishte 21 pikë dhe ishte në vendin e tretë. Tirana e sivjetshme është në vendin e shtatë dhe ka 14 pikë ose 7 më pak se 365 ditë më parë. Nëse këtë vit, Tirana ka vetëm dy fitore dhe tetë barazime, sezonin e shkuar ka pasur gjashtë fitore dhe tre barazime. Vetëm te humbjet kanë fituar bardheblutë, pasi kanë një më pak se vjet, tre kundër katër. Edhe në golaverazh, skuadra e vjetshme ishte 21-19, ndërsa e sivjetmja 17-16.