SPAK kërkon dënimin e Vangjush Dakos, ish-Kryebashkiak i Durrësit me 4 vite burg. Duke qenë se ndaj Dakos është aplikuar gjykimi i shkurtuar, ai mund të vuajë 2 vjet e 8 muaj burg, nëse kërkesa e SPAK pranohet nga GJKKO.

Në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u zhvillua seanca gjyqësore në ngarkim të Vangjush Dakos dhe 3 personave të tjerë, Fatmir Ejupi, Fiqiri Farruku dhe Ardian Bulku.

Për të 3 të pandehurit e tjerë Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Ardian Bulku, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin përfundimtar me nga 2 vite burgim secili për akuzën e falsifikimit të dokumentave dhe më pas pezullimin e ekzëekutimit të këtij dënimi, për shkak të problemeve shëndetësore dhe familjare, raportoi gazetarja Klodiana Lala.

Në pretencën prej 50 faqesh, prokurori Sotir Kllapi tha se bëhet fjalë për dy episode, një që lidhet me zbardhjen me vonesë të lejes së një pallati që u dëmtua gjatë tërmetit të 26 nëntorit të 2019 si dhe projektin e Promenadës.

Në të dyja raste – sipas SPAK – Vangjush dako ka injoruar sinjalizimet nga institucionet duke vepruar në kundërshtim me detyrën dhe duke shkaktuar dëm në buxhet.

Dako nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.

Lidhur me pallatin, ish-Kryebashkiaku Vangjush Dako akuzohet se ka zbardhur lejen me vonesë duke i hapur rrugë legalizimit dhe duke mos mbrojtur zhvillimin e territorit.

Ndërsa sa i takon episodit të dytë, Prokurori Kllapi tha se gjatë seancës se Bashkia Durrës ka dashur të blejë projektin Promenadë.
Ky projekt kishte synim zhvillimin e plazhit dhe krijimin e një zone rekreative . Në vitin 2012 në buxhetin e shtetit ishte parashikuar një tenderim 22 milionë lekë.

Në 2013-ën, Vangjush Dako ka ngritur një grup pune të përbërë nga 3 persona të tjerë. Grupi i punës ka bërë një gabim në projektim dhe sipërfaqe duke përcaktuar 24 hektarë dhe jo 2.4 hektarë sa ishte në të vërtetë.

Ish-Kryebashkiaku socialist i Durrësit u arrestua në muajin qershor të vitit 2023, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.

Dako, është ish-kryebashkiaku që u kap në përgjime me pjesëtarë të grupit kriminal Avdylaj në Shijak në dosjen e bujshme 339 dhe më pas u sanksionua ‘non grata ‘nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën dyshimet për korrupsion.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: