Avokati Arjol Kondi në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24 ka folur lidhur me marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët dhe kundërshtitë që vijnë nga gjykatat italiane lidhur me strehimin e emigrantëve në kampin e Gjadrit.
Bazuar në vendimet e Gjykatave italiane, të gjithë emigrantët që u sollën në Gjadër janë rikthyer në Itali.
Avokati Kondi tha se pavarësisht vendimeve të Gjykatave marrëveshja mes dy shteteve qëndron, por shtoi ai problemi është te personat që vendosen në kampin e Gjadrit.
Ai tha se gjithë problematika lidhet me vendet nga këta shtetas vijnë, të cilat Qeveria i konsideron si të sigurta, por sipas Gjykatave nuk janë të tilla.
Kondi tha se pala italiane i bëri llogaritë në mënyrë të përshpejtuar dhe për propagandë.
“Kostoja e gjithë kësaj procedure që i sjell në Shqipëri, është më e lartë se sa shpërndarja e emigrantëve në territorin italian. Duket se është një zgjidhje politike, nuk është njerëzore”, tha ai.
Dhe referuar marrëveshjes, Kondi tha se problemin e emigracionit nuk e zgjidhin 5 mijë emigrantë që mund të strehohen në Gjadër, por është një çështje që duhet trajtuar në nivel europian.
(BalkanWeb)