Dritan Agolli, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është paraqitur sot në SPAK. Ende nuk dihet se për çfarë çështje Prokuroria Speciale ka thirrur Agollin.
Kohë më parë është raportuar se ndaj tij SPAK ka nisur hetimet për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike, por nuk dihet nëse paraqitja e sotme në Prokurorinë Speciale ka lidhje me këto hetime të raportuara.
Gjithashtu gjatë ditës së sotme në SPAK u paraqit edhe Edmond Haxhinasto, ish-ministër i Transporteve.
Denoncimet për FSHZH-në e drejtuar nga Dritan Agolli
Në emisionin “Në Shënjestër” në News24 të gazetares Klodiana Lala, rreth dy vite më parë, është trajtuar çështja e abuzimeve me fondet në FSHZH.
Kështu, në vitin 2020 buxheti i FSHZH-së është 6-fishuar krahasuar me buxhetin e vitit 2010. Ajo që e bëri edhe më shumë të famshëm Fondin Shqiptar të Zhvillimit është skandali i publikimit të të dhënave mbi pagat në fund të 2021-shit, ku dolën në pah anomalitë me nepotizmin në administratë dhe abuzimet me paratë publike. Administrata e këtij institucioni praktikisht rezulton më e paguara në Shqipëri. Në databazën e pagave të prillit zbulohet se 5 shoferët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kanë paga bruto nga 1500 dollarë (153 120 lekë) deri në 1900 dollarë (196 636 lekë) në muaj, afërsisht sa paga e një deputeti (156 770 lekë) dhe në disa raste më shumë se e një ministri (174 760 lekë).
Vetë drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, përfiton një pagë prej afro 7 mijë dollarësh (701 100 lekë) në muaj, gati 3 herë më shumë se Kryeministri Edi Rama, që paguhet rreth 2200 dollarë muaj (228 730 lekë) dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, që përfiton afro 2500 dollarë në muaj (257 000 lekë). Ndërkohë, një punëtor pastrimi në Fondin Shqiptar të Zhvillimit përfiton bruto 1200 dollarë/ muaj.
Krahasimi me pagat e larta të administratës shtetërore është njëra anë e medaljes, pasi po t’i krahasosh me mësuesit (68,040 lekë), shoferët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit paguhen më shumë sa dy të tillë, apo sa tre policë rendi (50 000 lekë). Kurse pjesa tjetër e administratës së FSHZH-së, juristë dhe specialistë të ndryshëm fusin nëpër xhepa me mijëra dollarë çdo muaj si pagë fikse (170 100-601 800 lekë), 6 mijë dollarë drejtori i drejtorisë, 5900 dollarë drejtori i burimeve njerëzore, gati 5000 dollarë një punonjëse sociale, apo 4800 dollarë drejtori i marrëdhënieve me publikun.
Gjithashtu Shënjestër ka denoncuar tenderat nga FSHZH. Kështu me fondin limit prej rreth 58 mijë dollarësh për blerjen e policave të sigurimit për dy vite, i mbyllur në dhjetor 2021, ka dalë fituese kompania e vetme pjesëmarrëse SIGMA INTERALBANIAN VIENNA INSURANCE GROUP sh.a, e cila ka ofruar një çmim për njësi prej 688,600 (gjashtëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind) lekësh, ose rreth 6800 dollarë.
Në dokumentin e termave të referencës, specifikohen se janë 4 paketa, e para nga një mbulim prej rreth 680 mijë dollarësh, me shërbime shëndetësore të mbuluara deri në të gjithë botën, përveç SHBA-së, Kanadasë dhe Zvicrës.
Paketa e dytë mbulon shpenzime për kurim deri në rreth 200 mijë dollarë në vendet e Bashkimit Europian, Shqipëri dhe Turqi, ndërsa dy paketat e tjera mbulojnë shërbime deri në 68 mijë dollarë në Shqipëri, Turqi dhe Europë, përjashtuar Zvicrën. Paketat përfshijnë mbulimin 100% të shtrimeve në spitale, kurime brenda dhe jashtë vendit, ndërhyrjet kirurgjikale, terapinë intensive, pagesat për biletat e avionit dhe transportin për në spital me ambulancë dhe helikopter, si riatdhesimin nga jashtë. Po ashtu, polica e sigurimit mbulon edhe kimioterapitë, protezat u mundshme, ekzaminimet me skaner, rezonancë, fizioterapinë madje edhe kujdesin për shtatzëninë dhe lindjen.