Pësojnë defekt sahatet e ujit në një pallat në lagjen nr 4 të qytetit të Korçës. Si pasojë e djegies së sahatëve ka prani të madhe të tymit në hyrje të pallatit.
Gazetarja Lorena Kodra raporton për Balkanweb se nga paniku, banorët kanë dalë jashtë, ndërkohë që po ndërhyhet për të pastruar të gjithë ambientin. Drejtoria e Ujësjellësit ka ndërprerë ujin deri në rregullimin e plotë të sahateve të djegur.
Banorët thanë se kanë parë tym fillimisht, në korridor jashtë, pastaj kanë hapur dyert e ujësjellësit, ku kalojnë tubat e ujit. Ato kanë shtuar se u lajmërua zjarrfikësja, e cila erdhi për pak minuta. Tani është “mbytur” gjithë pallati nga uji, janë çarë të gjitha tubat, uji mungon dhe kanë mbetur të gjithë banorët jashtë. “Lart nuk hyn dot, te kati i 4 nuk hyhet, nuk duket fare”, tha një banor.
Një tjetër banor ka dhënë dëshminë e tij për ngjarjen. “Shpërthyen tubat e ujit, u çanë, u mbush dynjaja me ujë. Lart dilte tym, por s’e dimë se ku. Ne vetëm kur na thanë dilni jashtë. Kemi lajmëruar zjarrfikësen, erdhën ata, u mbyll uji, drita nuk kemi, tashi nuk e dimë si do vazhdojë”.
Ndërsa një banor i tretë deklaroi: “Ra zjarri lart në katet lart dhe shpërthyen tubat e ujit. Banorët e kateve sipër ishin më të rrezikuarit, ne dolëm jashtë në moment”, deklaroi qytetari.
(Balkanweb)