Ambasadori i Gjermanisë në Izrael dënoi thirrjet e ministrit izraelit të financave Bezalel Smotrich për të aneksuar Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Kërkesa e ministrit Smotrich për të ‘aplikuar sovranitetin (izraelit) ‘ mbi Bregun Perëndimor është një thirrje e hapur për aneksim. Çdo përgatitje për të zbatuar këtë qëllim është në shkelje të plotë të ligjit ndërkombëtar. Ne e dënojmë fuqishëm këtë njoftim që kërcënon stabilitetin e të gjithë rajonit,” shkroi Steffen Seibert në X.

Zyrtari i ekstremit të djathtë , duke sfiduar ligjin ndërkombëtar, deklaroi se “e vetmja mënyrë për të hequr kërcënimin e një shteti palestinez nga rendi i ditës është aplikimi i sovranitetit izraelit mbi vendbanimet në Jude dhe Samari”, duke përdorur emrat biblik për Bregun Perëndimor.

Smotrich u zotua se viti 2025 do të jetë viti për sovranitetin izraelit në Bregun Perëndimor. Ai tha se kishte udhëzuar Divizionin e Vendbanimeve dhe Administratën Civile, të dyja në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, që të fillonin përgatitjet për infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e kësaj politike.

Më vonë, Smotrich shkroi në X: “2025 – Viti i sovranitetit në Jude dhe Samari .”

Në qershor, Smotrich konfirmoi raportet nga The New York Times se ai kishte një “plan sekret” për të aneksuar Bregun Perëndimor dhe për të penguar çdo përpjekje për ta përfshirë atë në një shtet të ardhshëm palestinez.

Sipas vlerësimeve izraelite, më shumë se 720,000 kolonë të paligjshëm jetojnë në vendbanime në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor. Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor konsiderohen të paligjshme.

Më vete, një shumicë e qartë (79%) e gjermanëve janë kundër mbështetjes ushtarake për Izraelin në luftën kundër Hamasit, sipas një sondazhi nga Fondacioni Koerber me qendër në Hamburg.

Rreth 64% gjithashtu besojnë se Gjermania duhet të veprojë si ndërmjetëse midis Izraelit dhe Hamasit.

Ndërkohë, 87% e të pyeturve mbështesin ndihmën humanitare të Gjermanisë për njerëzit në Rripin e Gazës, ku sulmet izraelite gjatë 13 muajve të fundit kanë vrarë mbi 43,000 njerëz.

Shtetet e Bashkuara shihen gjithashtu nga 54% e të anketuarve si një partner i Gjermanisë në luftën e Izraelit kundër Hamasit.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb