Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi shisnin lëndë narkotike në Gjirokastër dhe Sarandë.
Nga hetimet rezulton se 2 shtetasit, në bashkëpunim me 3 të tjerë të arrestuar më datë 25.10.2024, të organizuar si grup, janë implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Policia njofton se e ka pësuar edhe babai i një prej të arrestuarve, pasi ndaj tij ka nisur procedim penal në gjendje të lirë sepse iu gjetën 2 thika luftarake, të cilat i mbante pa leje.
Njoftimi:
DVP Gjirokastër/Vijon operacioni policor i koduar “Andromeda”.
Operacioni, rezultat i një hetimi disajavor, me metoda proaktive, të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, me objektiv goditjen e një grupi kriminal të implikuar në shitjen e lëndëve narkotike, në doza, në Gjirokastër dhe në Sarandë.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 pjesëtarë të tjerë të grupit.
Sekuestrohen sasi Cannabisi të ndara në doza dhe një certifikatë false që iu gjet njërit prej të arrestuarve.
Procedohet në gjendje të lirë babai i të arrestuarit tjetër, pasi iu gjetën 2 thika luftarake.
Në vijim të hetimit të kryer në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Andromeda”, në drejtimin e prokurorisë së qarkut, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër, vunë në pranga shtetasit B. L., 24 vjeç dhe E. Dh., 31 vjeç, të dy banues në Gjirokastër.
Nga hetimet rezulton se 2 shtetasit, në bashkëpunim me 3 të tjerë të arrestuar më datë 25.10.2024, të organizuar si grup, janë implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, kryesisht në Gjirokastër.
Gjatë kontrolleve, 2 të arrestuarve iu gjetën sasi Cannabisi të ndara në doza. Më tej gjatë kontrolleve, shtetasit B. L. iu gjet dhe një dokument (certifikatë) e dyshuar e falsifikuar.
Në përfundim të veprimeve procedurale nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Q. Dh., 68 vjeç, banues në Gjirokastër (babai i 31-vjeçarit të arrestuar), sepse iu gjetën 2 thika luftarake, të cilat i mbante pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.