Debate në Komisionin hetimor për koncesionet në Shëndetësi, Check-up dhe Sterlizimin. Deputeti i PS-së Alban Xhelili akuzoi opozitën se po gënjen publikun.

Xhelili tha se fotot e mjeteve me ndryshk të treguara nga kryetarja e komisionit Albana Vokshi nuk janë të maternitetit “Koço Gliozheni”. Nga ana tjetër Vokshi e sfidoi kolegun socialist duke i kërkuar të shkojnë t’i shohin nga afër. Ajo tha se e njëjta situatë është në shumë spitale të vendit duke theksuar se deputetët e PS-së po mbrojnë vjedhjen dhe korrupsionin.

Alban Xhelili: Dje pasi kam dalë nga mbledhja, kur dolëm bashkë në darkë vonë, më ka ardhur një mesazh ku thuhet që ato fotot e paraqitura prej jush në komision nuk janë pranuar nga ajo strukturë spitalore, nuk janë fare në atë spital. E kam verifikuar dhe vetë. Dëgjoje pak Ina këtë gjë që po të them. E dini për çfarë do ju them. O Mondi ti nuk i lyen vetullat, kështu që mos e dëgjo këtë pjesën që do them, është për ata që lyejnë vetullat. Edhe ti mos dëgjo Saimir. Po ju them diçka…

Albana Vokshi: Po lërë se kështu i kanë thënë. Ia kanë çuar mbrëmë në darkë. Z.Xhelili shkojmë bashkë, ju sfidoj dhe i shohim në maternitet te Koço Gliozheni a janë këto apo jo.

Xhelili: Kryetare jo më kot ju lashë të vazhdonit të flisnit pa folur unë fare. E bëtë dhe dje pa folur fare dëshmitari, e dinit se çfarë do thoshte ai. Ju lexoni mendjen e atyre.

Vokshi: Ju e kishit mendjen të mbronit Edi Ramën dhe Vilma Nushin, kaq.

Xhelili: Ato shenjat e ndryshkut që paraqisnit te fotot është si puna e vetullave kur lyhen dhe t’ju thotë njeri e keni surratin me baltë. Dhe ato janë shenjat që lë leukoplasit. Kështu që ju vazhdoni t’i gënjeni njerëzit. Po të ishin veglat me ndryshk, sot njerëzit do ishin me infeksione në spitale. Sot është ulur niveli i infeksioneve. Mos gënjeni kot me këtë pjesën.

Vokshi: Kur skeni qenë ju në komision ia kam paraqitur dhe drejtorit të spitalit dhe nuk e ka mohuar. Unë e kam nga burim të brendshëm. Kam disa, jo një burim të brendshëm. Shkojmë bashkë, ju sfidoj dhe i verifikojmë. Dhe jo vetëm aty, por në të gjitha spitalet përdoren autoklavat e vjetra. Atëherë për çfarë ka shërbyer koncesioni. Ju mbroni vjedhjen, hajdutërinë, korrupsionin po është turp i madh kur ka kosto në jetën e qytetarëve. Të gjithë ju që po viheni në anën e gabuar dhe po mbroni vjedhjen, abuzimin mbi 200 mln euro. Duhet t’ju vijë turp secilit prej jush, që në vend të thoni hajde bëjmë transparencë që këto koncesione të mos vidhen më. Ato pajisje që tregova të vjetra dhe të ndryshka, janë të vërteta.
Ndreca: I gjithë ky diskursi dhe pjesërisht diskursi që po bën Spaho, ekspozon atë që kemi thënë nga fillimi i komisionit hetimor se ju e keni të paragjykuar këtë komision hetimor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb