Përveç afrimeve me peshë që u bënë gjatë merkatos së verës, me rrogozhinasit u bashkuan edhe disa lojtarë të rinj në moshë. Janë të paktën 3 lojtarë të afruar si talente, të gjithë të huaj, por deri tani asnjëri prej tyre nuk ka shpërthyer me fanellën e kampionëve në fuqi.
Mbrojtësi 19-vjeçar nga Arabia Saudite, Jazan Madani, nuk ka luajtur asnjë minutë me rrogozhinasit. Mesfushori nigerian Daniel Uotlai dhe sulmuesi ganez Mohamed Jahaja, kanë pasur fatin të luajnë në kampionat, por nuk kanë mundur të lënë shenjë.
Sigurisht, ata janë ingranuar gradualisht nga trajnerit Tetova si zëvendësues, në mënyrë që në të ardhmen të jenë të rëndësishëm për skuadrën. Të tre këta lojtarë kanë luajtur dje me Egnatian U-21 për të marrë minuta, madje Jahaja ka shënuar një gol.
Klubi rrogozhinas e ka në politikat e veta afrimin e lojtarëve të rinj në moshë, që pasi rrisin nivelin e tyre, sjellin të ardhura për Egnatian me ndonjë shitje të mundshme jashtë vendit. Jahaja mund të ketë më shumë hapësira në sulmin rrogozhinas tashmë që është larguar edhe Vuthaj.