Caktohet data për zhvillimin e seancës në Apelin e GJKKO-së për presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Ky i fundit ka ankimuar vendimin për masën e sigurisë “arrest me burg” caktuar nga shkalla e parë e Gjykatës së Posaçme.

Seanca në Apel do të mbahet më 19 nëntor, ora 10:00, raporton gazetarja e News24, Klodiana Lala.

Rreth 3 javë më parë, GJKKO rikonfirmoi masën “arrest me burg” për Ilir Metën dhe masën detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin.

Gjithashtu mësohet se GJKKO rikonfirmoi masën detyrim paraqitje për Ema Çokun, ndërsa ka ndryshuar masën për Pirro Xhixhon, për të cilin është vendosur masa “detyrim paraqitje” nga arrest shtëpie që ishte.

Presidenti i Partisë së Lirisë u arrestua për akuzat korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 237 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 130, datë 23.10.2024, vendosi: 1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Ilir Metaj, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuara nga nenet 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 të K.Penal”, thuhej në vendimin e dhënë nga GJKKO, lidhur me caktimin e masës së sigurisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: