Muzeu Etnografik i Kavajës është rihapur pas një restaurimi të plotë dhe përmirësimesh muzeale, realizuar nga programi EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë. Ky projekt dyvjeçar, me një buxhet prej mbi një milion eurosh, përfshiu restaurimin e godinës, e cila ishte dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, si dhe ridizajnimin e përmbajtjes së muzeut.

Vizitorët tani mund të eksplorojnë koleksionin përmes elementeve të reja multimediale si muret interaktive, përvojat e realitetit virtual, narrativat me video dhe audio, të cilat plotësojnë prezantimet tradicionale të artefakteve, duke e bërë më tërheqëse dhe edukative përvojën e vizitës. Godina, e ndërtuar në vitin 1800 dhe e shndërruar në muze në vitin 1971, përmban sot mbi 800 artefakte të ndryshme që ndriçojnë jetën e përditshme të brezave të kaluar, duke dokumentuar rutinat, festat familjare dhe mbledhjet e komunitetit.

Në ceremoninë e rihapjes morën pjesë të ftuar të shquar, përfshirë ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, zëvendësministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, menaxheren e lartë të programit të UNOPS, Pamela Lama, dhe kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja. Ata ishin vizitorët e parë të këtij muzeu të rinovuar.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb